Të Dënuarit për Narkotikë i Konfiskohet Banesa

Mentor Seferaj u dënua me 8 vjet e 6 muaj burg, ndërsa Bajram Shala me 6 vjet, kurse Gjergj Gjokaj u lirua për mungesë provash.

Këta të tre akuzoheshin për organizim të grupit kriminal dhe mbajtje në pronësi e kontroll të paautorizuar të substancave psikotrope dhe analoge.

Seferaj përveç këtyre akuzave, ngarkohej edhe për shpëlarje parash dhe falsifikim dokumenti. Atij Gjykata Themelore në Pejë përveç  dënimit me burg ia shqiptoi edhe gjobën prej 23 mijë e 300 eurosh.

Seferajt, gjykata ia konfiskoi edhe banesën në Lagjen “Arbëria” të Prishtinës.

Sipas gjyqtarit të rastit, Sali Berisha, në bazë të provave në shqyrtimin gjyqësor u vërtetua se Mentor Seferaj i njohur me nofkën “Bedi” në vitin 2014 ka qenë organizatori i bartjes së substancave narkotike nga Shqipëria me qëllim të transportimit të tyre përmes Kosovës për në Austri, ku edhe kanë qenë të destinuara të dërgohen.

Berisha theksoi, se Bajram Shala ka qene bashkëpjesëmarrës në ketë vepër penale,me ç’rast  ka bartur 115 paketime me substancë narkotike të llojit marijuanë të fshehura në një bunker të ndërtuar në kamioneten e tij.

http://kallxo.com/fjalosje-mes-avokateve-dhe-deshmitarit-ne-gjykimin-per-narkotike/

Edhe Bajram Shalës gjykata i shqiptoi dënim me gjobë në lartësinë e 12 mijë eurove, ndërsa ia konfiskoi kamionetën e markës “Volkswagen” dhe 155 pakot e marijuanës të gjetura në të.

Me i kënaquri nga tre të akuzuarit me vendimin e gjykatës u nda Gjergj Gjokaj, ndaj të cilit gjykata shqiptoj aktgjykim lirues në mungesë provash që inkriminojnë fajësinë e tij.

I kënaqur në vendimin e gjykatës u shpreh edhe Gëzim Kollçaku, mbrojtësi i Gjergj Gjokaj, i cili për KALLXO.com deklaroi se i është shpërblyer mundi i tij për të bindur gjykatën se i mbrojturi i tij  është i pafajshëm.

“Gjatë gjithë procedurës kam insistuar në pafajësinë e të mbrojturit tim, duke u bazuar në fakte dhe prova të pathyeshme karshi mosinfiltrimit të të mbrojturit tim në ketë vepër penale, gjë që u vërtetua edhe me vendimin meritor të gjykatës,” tha Kollçaku.

Gjergj Gjokajt gjykata ndërpreu masën e arrestit shtëpiak, ndërsa të dënuarve Seferaj dhe Shala iu vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Në seancën e javës së kaluar avokatët akuzuan prokurorin se me çdo kusht po synon t’i dënojë të mbrojturit e tyre.

http://kallxo.com/prokurori-nuk-u-pergjigjet-akuzave-te-avokateve/