Zëdhënësi i Federatës së Boksit: Rezultatet e testeve për coronavirus për ekipin tonë janë negativ

Sot i kanë kryer testet për coronavirus, ekipi i Kombëtares së Kosovës në boks, prej ardhjes së tyre nga Londra para dy javëve.

Ekipi kombëtar i boksit të Kosovës kanë qëndruar në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë prej 18 marsit, kurse sot iu janë bërë testet për coronavirus.

Për KALLXO.com, e ka konfirmuar Zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, se i gjithë ekipi kombëtar i boksit kanë dalë negativ në testet.

Demolli ka konfirmuar se nesër në mëngjes do të largohen nga karantina.

“Sonte kanë dalë rezultatet e testeve, nga instituti i shëndetsisë më lajmëruan se i gjithë ekipi jemi dalë negativ, nesër në mëngjes do të dalim nga karantina”, ka thënë Demolli për KALLXO.COM.

Delegacioni i boksit u vendos në karantinë pas rikthimit nga Londra ku ishin pjesëmarrës në garën evropiane kualifikuese për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

 

Latif Demolli tregon se kur do t’i marin rezultatet e testit për coronavirus ekipi i Kosovës në boks