Nga një luftë e Distria Krasniqit | Foto: Facebook

Xhudo: Tërhiqet shorti për Kampionatin Europian

Xhudistët kosovarë sot kanë mësuar emrat e kundërshtarëve për Kampionatin Europian që fillon nesër në Lisbonë të Portugalisë.

Kosovën në këtë europian e përfaqësojnë gjashtë xhudistë.

Të premten, në ditën e parë të garave, garojnë Distria Krasniqi në kategorinë deri 48 kilogramë dhe Nora Gjakova e Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë.

Distria Krasniqi është bartëse e parë dhe në xhiron e parë është e lirë. Në xhiron e dytë, Krasniqi do të takohet me fituesen e luftës mes italianes Francesca Giorda dhe moldaves Ana Budescu.

Edhe Nora në xhiron e parë edhe e lirë, ndërsa në të dytën e pret fituesen e luftës mes rumunes Loredana Ohai dhe spanjolles Carla Ubasart Mascaro.

Flaka Loxha në xhiron e parë përballet me sllovenen Kaja Kajzer.

Të shtunën, Akil Gjakova në kuadër të xhiros së dytë (73 kg) takohet me izraelitin Ido Levin.

Laura Fazliu (63 kg) përballet në nismë me gjermanen Dena Pohl.

Garën për Kosovën e mbyll Loriana Kuka, të dielën. Ajo në xhiron e dytë do ta ketë përballë ukrainasen Anastasiya Turchyn. Loriana garon në kategorinë deri 78 kilogramë.