Foto: Kallxo.com

Zyra e BE-së dhe Misioni i OSBE-së kërkojnë llogaridhënie për financat e subjekteve politike

Shefi i sektorit për seksionin politik, ekonomik dhe integrimin evropian, Riccardo Serri tha se synimi i zyrës së BE-së në Kosovë është që t’i bëjnë partitë politike më llogaridhënëse dhe transparente për financimin e tyre.

“Financimi i partive politike është një gjë shumë e rëndësishme dhe shumë mund të pyesin pse tash, por kjo është pjesë e reformës së procesit zgjedhor. Synimi jonë është që t’i bëjmë partitë apo subjektet politike më transparente. Rrjedhja e parasë të partitë politike dhe mos transparenca pa llogaridhënie shkakton hapësira për të menduar për korrupsion”, tha Serri.

Ai po ashtu tha se partitë politike kanë dështuar të dëshmojnë për shpenzimet dhe financat e tyre.

“Në raportin tonë i kemi mirëpritur disa hapa që janë marrë rishtazi, ne kemi parë se subjektet politike kanë dështuar të dëshmojnë shpenzimet për financim ose llogaridhënie dhe kanë lënë vend për dyshim për larje parash. Auditimi është shumë i rëndësishëm për Kosovën gjë që nuk ndodh në shumë vende të BE. Shumë mirë që Kosova për herë të parë është këshilluar me komisionin e Venecias dhe ka diskutuar për nxjerrjen e ligjit të ri për financimin e partive politike e pjesëmarrja jonë këtu tregon se jemi duke e shtyrë para këtë”, shtoi Serri.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se plotësimi i ligjit për financimin e partive politike është i rëndësisë së veçantë.

“Neve si KQZ na kanë shoqëruar gjithkund diskutimet për financimin e partive politike. Plotësimi i ligjit për KQZ ka rëndësi të veçantë . Të rregullohet sistemi i sanksionet për partitë politike dhe të ndihmojë shumë që partitë politike të jenë më shumë transparente. Është shumë e rëndësishme ri draftimi i këtij ligji të marrë dritën e gjelbër në Kuvend që të na ndihmojë më shumë në llogaridhënie dhe transparencë nga subjektet politike”, theksoi Daka.

Shefja e Zyrës së  Këshillit të Evropës, Isabelle Servoz-Gallucci tha se kjo punëtori ka rëndësinë e veçantë sepse është bërë kërkesa direkt nga pala kosovare.

Gallucci tregoi edhe për Komisionin e Venecias dhe Kosovën si anëtarë e këtij komisioni.

“Komisioni i Venecias ka qenë i përkushtuar në punë me Kosovë,  për Kosovën si anëtar i këtij Komisioni me të drejta të plota. Komisioni i Venecias është komisioni evropian për demokraci përmes ligjit, është formuar në vitin 1990 dhe është institucion për dhënien e këshillave përmes legjislacionit. Ky komision ka 61 anëtarë, e Kosova është njëra ndër ta”, tha Gallucci.

Drejtori i Departamentit të Demokratizimit në OSBE, Christopher Tuetsch tha se nëse fondet publike shpërndahen për financa të partive politike duhet të kontrollohen për shkak të ruajtjes dhe transparencës për votuesit e tyre.

“Më lejoni të jap një rekomandim Gjobat dhe dënimet nga KQZ dhe PZAP nuk duhet zbritur nga fondi nga buxheti i Kosovës sepse në këtë rast nuk do të kishte efekt për shkak se ato paguhen nga taksapaguesit e shtetit. Unë inkurajoj të gjitha subjektet politike të mbështesin këtë ligj për regjistrimin e partive politike po ashtu edhe shoqërinë civile, zëri dhe aktivizimi i shoqërisë civile është dhe mbetet çelësi dhe ndihmon shumë për financimin e partive politike”, përfundoi Tuetsch.