Gjyqtarja e vrarë të enjten në Tiranë, Fildeze Hafizi. Foto: Facebook.

Vrasja e Gjyqtares, Prokuroria Ngre Tri Akuza Ndaj ish-Burrit

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot masën e sigurisë “arrest në burg” për Fadil Kasemin, tregtarin 53 vjeçar që akuzohet se tre ditë më parë ekzekutoi me dy plumba ish-gruan e tij, gjyqtaren Fildeze Hafizi.

Në sallën e gjyqit, Kasemi u shfaq përballë gjyqtarit Fran Prendi dhe prokurorit Dritan Prençi pa një mbrojtës ligjor.

Teksa ka dhënë gjeneralitet, Kasemi pranoi akuzën e vrasjes së ish-bashkëshortes, por nuk dha shpjegime të tjera me pretendimin se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

Interes për vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda shfaqën edhe disa familjarë të Fadil Kasemit, të cilët ishin të pranishëm në ambientet e jashtme të gjykatës.

Familjarët i thanë BIRN se Kasemi ka qenë shumë i ngarkuar psikologjikisht dhe pas ngjarjes, policia e ka survejuar në 24 orë me policë tek dera e dhomës së shoqërimit. Ata pretenduan se prej 3 ditësh nuk kishin pasur asnjë kontakt me të, pasi policia nuk i kishte lejuar të kryenin takim.

Gjatë seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë, prokurori Dritan Prençi e bazoi kërkesën e tij në tre akuza, atë të “vrasje për shkak të lidhjeve familjare”; “rrëmbim dhe mbajtja peng e personit” dhe “armëbajtje pa leje”.

Sipas prokurorisë, autori i dyshuar i krimit, Fadil Kasemi e përndiqte në mënyrë të vazhdueshme ish-bashkëshorten dhe e kërcënonte me jetë që prej daljes së tij nga burgu në janar 2017.

Ditën e ngjarjes, i akuzuari e ka pritur rreth 1 orë viktimën teksa ka dalë nga një parukeri dhe pasi ka hipur në automjjetin e saj, i është afruar nga ana e derës së pasagjerit, duke e qëlluar dy herë me pistoletë.

Pas këtij krimi, i dyshuari ka ecur në këmbë nga zona e quajtur “Xhamlliku” drejt rrugës “Bardhyl”, ku sipas Prokurorisë ka ndaluar nën kërcënimin e armës një furgon. Përveç vrasjes së ish-bashkëshortes Fildeze Hafizi, prokuroria e akuzon Fadil Kasemin edhe për mbajtjen peng të shoferit të furgonit për disa minuta, me qëllimin për ta larguar nga Tirana.

Avokati i Fadil Kasemit, Arben Peci, i caktuar kryesisht nga gjykata, ishte dakord me kërkesën e Prokurorisë për lënien në qeli të 53-vjeçarit.

Vrasja e Fildeze Hafizit-nënë e dy fëmijëve dhe gjyqtare e Shkodrës tronditi opinionin publik dhe u pasua me reagime të ashpra, edhe për faktin se viktima kishte denoncuar vazhdimisht dhunën e ish-bashkëshortit, pa mundur të gjejë siguri të institucionet shqiptare.