VIDEO: Me zbulimin e pllakës ‘Epopeja e Trepçës’ përfundoi Java e Minatorëve

Më zbulimin e pllakës “Epopeja e Trepçës“, në të cilën janë shënuar emrat e të gjithë minatorëve pjesëmarrës të grevës së 20 – 28 shkurtit 1989 sot në Mitrovicë ka përfunduar Java e Minatorëve.

Paraprakisht u mbajt një ceremoni në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica“ në të cilën morën pjesë kryetari i kësaj Komune, Agim Bahtiri, kryetari i Sindikatës së minatorëve, Shyqyri Sadiku dhe minatorë të shumtë pjesëmarrës të grevës së atëhershme.

Me këtë rast, Agim Bahtiri ka ritheksuar edhe një herë se do të bëhet bashkimi i Mitrovicës dhe se janë të gatshëm të mbrojnë çdo pëllëmbë të territorit por edhe minierën Trepça.

“Minatorët e kanë dhënë çdo herë vullnetin e tyre për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të vetë republikës. Sot kemi ardhur në kohën kur duhet me u mbrojt Mitrovica dhe miniera jonë Trepça me të gjitha resurset… Do të jemi së bashku për t’i çuar proceset përpara. Bashkimi i qytetit do të ndodhë por jo me status special, nuk  kemi marrë rrugë për status special por për të mbrojtur çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës e posaçërisht Mitrovicës që padrejtësisht dhe pa e pyetur askënd na kanë ndarë, dhe Mitorvica do të jetë e bashkuar me ndihmën e Zotit dhe tuajën”, tha kryetari i Mitrovicës së Jugut.

Kryetari i Sindikatës së minatorëve Shyqyri Sadiku ka falënderuar minatorët për kontributin e dhënë në grevën e vitit 1989.

“Falënderoj të gjithë minatorët të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në grevën historike në vitet 1989 kur edhe kanë filluar themelet e shtetit të Republikës së Kosovës në Stantërg“, ka thënë Sadiku.

Ndërsa Robert Myers, kryesindikalist i minatorëve nga Britania e Madhe ka thënë që personaliteti i minatorëve të asaj kohe do të vazhdojë të mbajë gjallë shpirtin e rezistencës i cili do të jetojë edhe shumë vite me ju dhe mes jush.

Kurse Burhan Kavaja në emër të ish 14 të akuzuarve politikë tregoi për kohët e vështira të organizmit të demonstratave.

“Është shumë e lehtë të flitet dhe të veprohet por në rrethanat kur ishim të rrethuar me rrjetin kundër informativ të organizohet një marsh protestues dhe një grevë ka qenë diçka thuajse e pamundur, mirëpo duke iu falënderuar slloganit që e kam thënë edhe më herët: “Një për të gjithë dhe të gjithë për një “, arritëm solidaritetin, qëndresën dhe me shëndetin tonë arritëm t’i bëjmë rezistencë një euforie serbomadhe kundër një Kosove, punëtorëve dhe kundër minatorëve“, tha Kavaja.