Veseli: Meja është shenjë e lirisë sonë

Sot janë bërë 20 vite nga masakra e cila ndodhi në Mejë të Gjakovës.

Për të nderuar sakrificën e atyre që u vranë, gjatë ditës së sotme janë bërë homazhe tek varrezat e martirëve në Kompleksin Memoral në Mejë, ku u mbajt edhe akademi qëndrore në këtë kompleks.

Në këtë akademi, kryeparlamentari i vendit, Kadri Veseli ka thënë se Meja është shenjë e lirisë sonë, dhe monument i një populli që me asnjë çmim nuk pranoi nënshtrimin.

“Ne çdo vit kujtojmë e ata që kryen këto krime ikin dhe mohojnë. Por, ne asnjëherë nuk do të ndalemi të kërkojmë drejtësi për 186 masakrat e kryera në Kosovë. Nuk duam hakmarrje, duam drejtësi”, ka thënë Veseli.

Para 20 vitesh vitesh, më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare filloi në orët e hershme të mëngjesit, në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Millosheviqit më 27 prill 1992.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja.

Pas luftës, gjatë viteve 1999-2001 një pjesë e tyre është gjetur në varreza të ndryshme masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi.

Mirëpo edhe përkundër kërkesave nga Qeveria e Kosovës të nxitura nga shoqata të ndryshme humanitare dhe të afërmeve të të ndjerëve organet serbe kanë zvarritur dorëzimin e tyre.