UP Ndalon Financimin e Kursit të Skijimit, Studentët Ankohen

Studentët e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit sivjet është dashur të paguajnë nga 200 euro për të mbajtur një kurs të skijimit në Brezovicë, të obligueshëm me planprogramin e mësimeve.

Një student është ankuar në KALLXO.com se ai dhe kolegët e tij janë detyruar të paguajnë një shumë të hollash për të kryer pjesën praktike të provimit në lëndën e Skijimit.

Deri këtë vit, rektorati ka participuar në pagesën për akomodim për mbajtjen e këtij kursi por këtë vit studentët është dashur që këtë pagesë ta kryejnë vetë.

Edhe pse pagesa e mësimit në terren bëhet nga studentët bazuar në rregulloren e fakultetit, praktika e deritanishme e pagesës nga rektorati dhe ndërprerja e saj ka shkaktuar pakënaqësi.

Linda Cena, studente në këtë fakultet mendon se pagesa është e padrejtë por e domosdoshme për të kaluar provimin në lëndën e skijimit.

“Kemi bërë pagesë 200 euro për 8 ditë ku përfshihet fjetja me ushqim ski lifti dhe kaq. Vitet tjera nuk kanë paguar por për të ardhur dhe vijuar kursin, e për të marrë notën që të mos mbesim mbrapa kemi paguar”, tha studentja e vitit të dytë.

Profesori i lëndës, Bujar Turjaka thotë se pagesa nga studentët është normale dhe se studentët janë manipuluar nga grupe të caktuara në Universitet.

“Ka qenë fushatë zgjedhore në Universitetin e Prishtinës dhe grupet e caktuara të profesorëve e kanë keqpërdorur këtë kohë dhe ju kanë thënë se nëse ne vijmë (në krye të Fakultetit) skijimin do ta keni prapë pa pagesë”, thotë profesori Turjaka.

Për Vullnet Dolin, student i këtij Fakulteti, shuma nuk është e madhe duke pasur parasysh kushtet që ofrohen dhe mësimi i skijimit.

“Nuk do të kishim mundur me kry provimin pa e mbajtur kursin për shkak se unë si fillestar nuk kam hipur asnjëherë në ski dhe me ndihmën e profesorëve po mësojmë teknika të reja”, tha Doli.

Zyrtarë të Rektoratit të UP-së nuk kanë pranuar të përgjigjen për ankesat e studentëve, ndërsa Dekani në largim i Fakultetit, Sadik Krasniqi thotë se për shkak të kufizimeve buxhetore dhe blerjes së rekuizitave të reja për këtë Fakultet nuk ka qenë e mundur pagesa e kursit të skijimit për studentët.