Autobusi i përfshirë nga tymi

Tym në Autobusin me Punëtorë të KEK-ut

Ky incident është raportuar në KALLXO.com nga një qytetar nga Prishtina.

Sipas fotografive të dërguara prej tij, shihet se në pjesën e pasme të autobusit del tym.

Ndërmarrja “Autotransporti” është e kontraktuar nga KEK-u për bartjen e punëtorëve të korporatës.

Drejtori i ndërmarrjes “Autotransporti”, Ejup Rexha  tregoi për KALLXO.com se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.

“ Ndërmarrja jonë i ka 40 autobusë dhe ai ka qenë njëri ndër ta që ka bartur punëtorë të KEK-ut për në vendet e punës.  Autobusi nuk është djegur, por ka pasur një defekt pasi që nga i ftohti ka dalë nga vendi gypi i ujit ku dhe është parë tym,” tha Rexha.

Autobusi KEK 2

Ai tregoi se e gjithë ngjarja kishte ndodhur pas orës 6:00 të mëngjesit derisa autobusi që u përfshi nga tymi po priste një autobus tjetër me punëtorë të KEK-ut.

“ Punëtorët e KEK-ut kanë qenë në autobus kur ka ndodhur defekti. Punëtori ynë e ka sanuar menjëherë dhe çdo gjë ka qenë në rregull. Punëtorët e KEK-ut dhe punëtorët tanë kanë  qenë jashtë rrezikut,” tha Rexha.

Për këtë ngjarje nuk kanë dijeni zyrtarët e KEK-ut.

“ Shërbimi është kryer në mënyrë të rregullt. Punëtorët e KEK-ut janë në vendin e punës që nga ora 7:00. Informata tjera se çka ka ndodhur më pas nuk i dimë,” tha për KALLXO.com,  zyrtari për Informim i KEK-ut, Edmond Nulleshi.

E ky incident nuk është raportuar as në polici. Këtë për KALLXO.com e konfirmoi zyrtarja për informim e Policisë së Kosovës, Floria Ahmeti.

“ Nuk  ka kurrfarë raporti, te ne nuk është lajmëruar për djegien e ndonjë autobusi të KEK-ut. Nuk figuron as në raportin 24 orësh të policisë, por as në raportin e mëngjesit,” tha Ahmeti.