Standardi i dyfishtë i Vetëvendosjes për lojën  ‘LUDO’

Loja ‘LUDO’ përveç Skenderajt është paralajmëruar edhe në Vushtrri si organizim me rastin e ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Mirëpo për këto dy komuna që rreth 20 kilometra larg njëra-tjetrës, Lëvizja Vetëvendosje kishte qëndrime të ndryshme.

Lëvizja Vetëvendosje dega në Vushtrri e përkrahi organizim e shoqërisë civile, për dallim nga dega në Skenderaj.

Nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, tha për KALLXO.com se pavarësisht qe nuk është ne agjendën e DKRS-së, ata nuk janë kundër lojës që të mbahet në kuadër të 17 shkurtit.

“Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Vushtrri nuk e ka në agjendën e saj lojën ‘LUDO’ për datën 17 shkurt edhe pse nuk kemi asgjë kundër saj. Ndërsa organizator të kësaj loje janë Faton Ternava dhe Bleonita Duraku nga shoqëria civile”, theksoi Muzaqi.

Në anën tjetër, Qendra Rinore Publike në Skenderaj si organizator, ka marrë përkrahje nga kryetari i Komunës pasi që e ka listuar në agjendën e aktiviteteve të organizuara me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës këtë lojë.

Por, Lëvizja Vetëvendosje, dega në Skenderaj, i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës, Bekim Jasharit, që ta largojë nga agjenda lojën ‘Ludo’, e cila është paralajmëruar si aktivitet për nder të ditës së pavarësisë.

Sipas tyre, në vend të lojës “Ludo” në shesh, “duhet ligjëruar nxënësve nëpër shkolla” për 17 Shkurtin.

Për dallim nga Skenderaj, në Vushtrri turneu do të mbahet katër ditë në “Stadiumi i Gomës në Vushtrri”, dhe me pagese prej 5 eurove.