Policia e Shtetit- Tirane- Foto: Policia e Shtetit/Facebook

Shpallen në kërkim autorët e dyshuar për vrasjen e dy personave në Laç

Policia e Shtetit në Shqipëri ka arritur t’i identifikojë dhe i ka shpallur në kërkim autorët e dyshuar të vrasjes së dy personave mbrëmjen e djeshme në qytetin e Laçit.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit, dhe se autorët e dyshuar të vrasjes janë shtetasit: M. B., 25 vjeç, M. B., 23 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të tre lindur e banues në Kurbin”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Sipas Policisë, vrasja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. Dy viktimat janë plagosur me armë zjarri të cilët kanë vdekur në një nga spitalet private në Tiranë.

Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Në njoftim theksohet se në vendngjarje menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë së Kurbinit si dhe grupi hetimor. Në vijim janë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët që lidhen me qytetin e Laçit si dhe disa pika kontrolli në akset kryesore rrugore, Milot -Lezhë, Milot -Kurbin -Tiranë.

Me mbështetjen e FNSh, janë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen.

Policia e Kurbinit vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

https://kallxo.com/dy-kusherinj-vriten-ne-lac/

.