Gazetarja e KALLXO.com, Paulina Nushi, pranon mirënjohje nga Shoqata e Mamive.

Shoqata e Mamive Mban Kuvendin- Falënderon Gazetaren e KALLXO.com

Është mbajtur Kuvendi Vjetor i Shoqatës së Mamive të Kosovës ku është bërë prezantimi i raportit vjetor për të arriturat e Shoqatës së Mamive dhe për aktivitetet që i kanë zhvilluar brenda vitit 2016.

Në këtë Kuvend kanë marrë pjesë, zëvendësministri i Shëndetësisë, Granit Abdullahu, Shefqet Lulaj, kryetar i Shoqatës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë së Kosovës, Blerim Syla,  kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë në Kosovë, Naser Rrustemi, kryetari i Odës së Infermierëve. Po ashtu të pranishme kanë qenë edhe mamitë prej të gjitha regjioneve të Kosovës.

Të gjithë pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të dëgjojnë raportin ku janë prezantuar takimet e rregullta që i kanë pasur me institucionet, bashkëpunimet dhe marrëveshjet që i kanë pasur me Avokatin e Popullit, me Institutin Libido.

Magbule Elezi, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës së Mamive të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se në fund të Kuvendit janë ndarë edhe falënderime dhe mirënjohje për mediat që kanë kontribuuar gjatë vitit 2016 në lidhje me promovimin e rolit të mamive.

Ajo është shprehur se janë ndarë falënderime për një televizion, një portal dhe një radio si rezultat i promovimit të vazhdueshëm të rolit të mamive në institucione.

“Në këtë rast kemi nda falënderim për Klan Kosovën kryesisht për Saranda Bujupi – Ramën ku kemi qenë në mënyrë të vazhdueshme nëpër emisione në rubrikën e këshillave në Emisionin “Familja ime” dhe në programet e tjera të televizionit Klan Kosova, e keni ndarë edhe një falënderim për Paulina Nushin, për gazetaren e KALLXO.com pasi Paulina ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me hulumtimet për mbylljen e materniteteve dhe për Radio Dukagjinin që ka mbajtur emisione të ndryshme në lidhje me rolin e mamive”, ka theksuar Elezi.

Po ashtu në pjesën e diskutimeve në fund të Kuvendit është diskutuar për akreditimin e programit të mamive në Fakultetin e Mjekësisë në lidhje me maternitetet si dhe me fuqizimin e rolit të mamisë në Kosovë.

Kuvendi i shoqatës është funksionalizuar që nga viti 2016 kurse kuvendi i parë është mbajtur këtë vit.