Shënohet Dita e Ashkalive të Kosovës

Komuniteti Ashkali në Kosovë është ndër komunitet më të vjetra. Kështu ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e Ditës së Flamurit Ashkali.

“Ne kemi një arsye sot pse jemi bashku, është se 15 shkurti është dita e Flamurit të komunitetit ashkali. Komuniteti ashkali në Kosovë është një nga komunitetet më të vjetra dhe asnjëherë nuk ka munguar me qenë bashkë me komunitetet e tjera. Kam shumë respekt për kryetarët e partive të komunitetit ashkali. Kemi me bo punë të mira, do të jemi me ju. Urime dita e Flamurit 15 shkurti”, është shprehur Haradinaj në një ceremoni për nder të 15 shkurtit, Ditës së Flamurit Ashkali në Kosovë.

Hetem Arifi në emër të Partisë se Ashkalive për Integrim, tha se janë falënderues për Luftën e UÇK-së dhe Bashkimit Evropian për lirinë e Kosovës.

“Ne jemi mirënjohës dhe falënderues ndaj UÇK-së dhe BE-së për lirinë e Kosovës. Kjo festë ashkalinjtë e Kosovës i gjen me përkrahje, por kërkoj nga ju si kryeministër sepse ashkalitë kanë nevojë ende për një jetë me të mirë, ashkalitë duhet të jenë pjesë e të gjitha proceseve integruese”, tha Arifi.

Danush Ademi, deputet nga komuniteti ashkali tha se Ushtria e Kosovës presin që t`i ketë rreth 350 pjesëtarë nga ky komunitet.

“Jam falënderues, ku për këtë komunitetet janë ndarë 3 milionë e 700 mijë euro, kjo do të thotë që kryeministri dinë, e do, dhe gjithmonë e ka dashur këtë komunitet. Besoj që edhe ushtria e formuar do t`i ketë 300-350 ushtarë nga ky komunitet. Asnjëherë deputetët e komunitetit ashkali nuk kanë qitë kushte sepse ne ia duam të mirën vendit”, tha Ademi.