Deputeti ashkali nuk shkon në pritjen e Kurtit për Ditën e Flamurit të ashkalive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar sot një pritje me rastin e Ditës së Komunitetit Ashkali. Me këtë rast, Kurti theksoi se në Kosovë e kultivojmë diversitetin si pasuri, duke vënë theksin që qytetarët e Republikës së Kosovës do të trajtohen pa diskriminim e pa privilegje.

Ai shtoi se ndjehet keq që në këtë organizim nuk ka marrë pjesë deputeti nga radhët e komunitetit ashkali, Etem Arifi.

“Me këtë rast, më lejoni të shprehë keqardhjen time që deputeti në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nga radhët e komunitetit ashkali, Etem Arifi nuk është me ne këtu dhe disa përfaqësues të organizatave të tjera, për shkak të një mosdakordimi që ka ndodhur midis nesh. Ne nuk mund të vazhdojmë praktikën e qeverive të mëhershme, ku me një lloj marrëveshje u jepen mjete prej mijëra eurove, pa thirrje publike, komuniteteve të veçanta”, ka thënë Kurti.

“Pra, ne dëshirojmë t’i ndihmojmë edhe më shumë sesa më herët, të jemi të parët në dorën e bashkëpunimit e të ndihmës për komunitetet, posaçërisht për komunitetin ashkali, mirëpo nuk mund të shkelim procedurat, nuk mund të japim 10 mijë apo 12 mijë euro me marrëveshje e pa thirrje publike, që do të kërkonte një periudhë të caktuara kohore deri tek realizimi i saj, ndërkohë që ne jemi në ditën e 9 në zyrë si qeveri e re”, ka shtuar ai.

Po ashtu, Kurti veçoi se do të shprehin përkushtimin e Qeverisë që ashkalijtë të mos ndjehen të diskriminuar, të marxhinalizuar, por të bëhen ashtu siç duhet të jenë, pra qytetarë të barabartë të shtetit të Kosovës.