Prokuroria Mbledh Informata për Listat e Veteranëve

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kërkuar nga prokuroria kompetente fillimin e grumbullimit të informatave të nevojshme për të përcaktuar nëse ka vend për inicimin formal të hetimeve në lidhje me rastet individuale të keqpërdorimeve eventuale që kanë mundur të ndodhin gjatë hartimit të listave të veteranëve të UÇK-së,” thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shtetit.

Prokuroria më tutje sqaron se nga informatat e grumbulluara do të përcaktohen veprimet e mëtutjeshme.

“Më pas varësisht nga grumbullimi i informatave do të përcaktohet nëse ka fakte për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës dhe rrjedhimisht edhe për ngritje të aktakuzës,” vijon njoftimi.

Prokuroria më tutje sqaron se hetimi i urdhëruar prej saj nuk është kundër UÇK-së.

“Ky hetim nuk ka të bëjë me ata persona që kanë dhënë kontribut në UÇK, por ky hetim është i drejtuar ndaj atyre individëve që kanë kryer keqpërdorime eventuale duke dhënë dëshmi të rrejshme, apo duke paraqitur dokumentacion fiktiv të falsifikuar për të përfituar statusin e veteranit të luftës,” shpjegon njoftimi.

Prokuroria bën me dije se keqpërdoruesit e statusit të veteranit do të ndiqen penalisht.

“Nëse konstatohet një gjë e tillë personat e caktuar do të përballen me ligjin, pavarësisht pozitës që kanë apo kanë mundur ta kenë gjatë një periudhe historike në të kaluarën,” thuhet në njoftim.

Prokuroria fton edhe qytetarët që t’i ndihmojnë në identifikimin e keqpërdoruesve të mundshëm.

“Zyra e Kryeprokurorit të shtetit fton të gjithë qytetarët që mund të kenë informata në lidhje me këto lista të veteranëve, t’i japin informacionet që ata posedojnë dhe të bashkëpunojnë me prokurorinë. Informatat e tilla do të trajtohen me përkushtim, profesionalizëm dhe konfidencialitet,” përfundon njoftimi.

Komisioni për verifikimin e statusit të ish-luftëtarëve të UÇK-së konstatoi numrin prej 46 mijë e 230 veteranësh. Ky numër u bë i ditur nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar më 1 qershor.

http://kallxo.com/kosova-e-46-mije-veteraneve/