Prindërit e Fëmijëve me Autizëm Kërkojnë Përkrahje

Prindërit të cilët kanë fëmijët me autizëm kanë kërkuar përkrahje nga institucionet si dhe nga shoqëria ne takimin e organizuar nga Zyra e Kryeministrit dhe Zyra për Mirëqenie të Mirë.

Kryetari i Shoqatës së Autizmit Cenë Krasniqi, i cili ka 9 vjet që merret me autizëm si prind dhe 7 si kryetar i shoqatës tha se institucionet nuk janë duke bërë sa duhet për fëmijët me autizëm.

Duke iu referuar Ditës Ndërkombëtare të Autizmit ai tha se “me 2 prill të këtij viti askush prej organeve kompetente qeveritare apo komunale nuk ka qenë i pranishëm as në teatër e as në koncertin për bamirësi”.

Sipas tij, ka 13 muaj që kjo shoqatë po kërkon karrige nga Ministria e Arsimit mirëpo akoma nuk kanë marrë përgjigje.

“Ministria e Arsimit para 3 viteve na ndihmoi me 2 mijë euro me rastin e 2 Prillit për sensibilizim me rastin e një mbrëmje për mbledhjen e fondeve na premtoi 1 mijë euro, por nuk dolën real, na premtuan pajisje, kurse kur kërkuan karrige as përgjigje nuk na kanë dhënë”, tha ai.

Sipas tij, nuk është bërë asgjë as nga Ministria e Shëndetësisë e cila pavarësisht se kishte formuar një grup punues ai kishte mbajtur vetëm një mbledhje ku “ishte diskutuar vetëm për emrin e projektit”.

Kjo shoqatë ka problem edhe me lokacionin për krijimin e një qendre kurse sipas tij komuna e Prishtinës kishte premtuar një lokacion për qendrën e autizmit dhe të sindromit doën.

“Pas një viti mezi kemi arritur të emërtojmë një pozicion që mund të jetë potencial për këtë qëllim dhe akoma nuk është diskutuar për të në asamble”, sqaroi ai.

Ai kërkoi që të mos vazhdohet në këtë mënyrë mirëpo të punohet me fëmijët pasi që ata kanë aftësinë që të bëhen të pavarur.

“Nëse nuk punojmë me ta në këtë fazën rinore ata do të jenë gjatë gjithë kohën barrë e kësaj shoqërie dhe në të ardhmen do të duhen shumë qendra për strehimin e tyre ose duhet me i lënë rrugëve të bredhin”, tha ai.

Zëvendës Ministri i Shëndetësisë, Mevludin Krasniqi, shprehu mbështetjen për këtë kategori të fëmijëve ndërsa foli për veprim të koordinuar në favor të krijimit të kushteve më të mira për ta.

“Mendoj se interesimi ynë duhet të jetë gjatë gjithë vitit për këtë kategori që jo vetëm të ngrisim zërin por edhe t’i integrojmë hapat e veprimit për të mirën e të gjithë fëmijëve me autizëm”, tha Krasniqi.

Por Kryetari i Forumit të Aftësisë së  Kufizuar, Bujar Kadiu, tha se prindërve u mjaftojnë problemet emocionale prandaj ata nuk duhet të ngarkohen edhe me ato ekonomike.

“Do të mobilizohemi të gjithë bashkërisht që këta fëmijë të mbrohen me ligj dhe shërbimet t’i marrë obligim shteti i cili edhe i ka obligim e jo që këtë fëmijë të mbeten në mëshirën e prindërve që kanë e ata që s’kanë mbesin në mëshirën e askujt”, tha ai.

Përfaqësuesja e jashtme e Shoqatës së Autizmit Shpresa Xhakli, e cila ka djalin e saj 27 vjeçar me autizëm kërkoi ndihmën e institucioneve duke thënë se edhe një vulë nga qeveria mjafton.

“Ndryshe është kur shkojnë projekti me një vulë të Republikës së Kosovës e ndryshe kur shkon me mbishkrim doktoresha Shpresa Xhakli”, shtoi ajo.

Sipas saj, të gjithë duhet të fokusohen në shtatë pikat kryesore, të drejtat e fëmijëve, diagnostikimi i fëmijëve më autizëm, arsimi, të drejtat sociale, kërkesat dentalë, sporti dhe punësimi.

Ajo tha se mjafton një orë lojë me këta fëmijë, dy orë të vendosura nga një mjek për t’í kontrolluar apo edhe shpërndarja e fletushkave për sindromat e para të njerëzit.

“Kemi shkolla të mesme pse mos me u vetëdijesu pse mos me e ba një të shtunë, fëmijë e shkollave të mesme merrni këta fëmijë dhe çoni në park, në Gërmi, në not, një lojë topi, kjo është e mundshme dhe nuk ka nevojë për pare, mjafton dëshira”, u shpreh jo.

Duke aluduar në proverbin “me rritë një fëmijë duhet një fshat” ajo kërkoi ndihmën e të gjithëve duke thënë se “fshati jemi të gjithë ne”.

Shpresa Xhakli ishte përkrahëse edhe koncertit bamirës i cili ishte organizuar me 2 prill. Paratë e mbledhura nga ai koncert ishin ndarë për fëmijët me autizëm.

Në të njëjtën ditë Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë me moton “Kam të drejtë të jem ndryshe” pati bërë shitja e ëmbëlsirave, shitja e punimeve artistike dhe vendosja e thënieve në degët e pemës që gjendet në sheshe të qyteteve të ndryshme.

http://kallxo.com/autistet-ndihmohen-embelsira-dhe-koncert/

Kurse gjatë tërë muajit prill i njohur si “Muaji i Ndërgjegjësimit për Autizëm” janë zhvilluar dhe do të zhvillohen aktivitete të ndryshme.