Topalli: PDK e LDK nuk Plotësuan Kërkesën e Punëtorëve të Fabrikës së Gypave

Deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli, tha se as PDK-ja e as LDK-ja nuk e kanë plotësuar kërkesën e punëtorëve të Fabrikës së Gypave të Ferizajt. Sipas tij, prej përfundimit të luftës, të gjitha instancat gjyqësore kanë vendosur që t’i kompensojnë pagat e punonjësve të punëtorëve të kësaj fabrike.

“Parlamenti ka votuar 3 herë për ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Është thënë se mjetet do të paguhen nga fondi rezervë. As PDK dhe as LDK nuk e kanë plotësuar kërkesën që është marrë vendim edhe nga gjyqësori”, tha Topalli.

“Si ka të drejtë një kryeministër, që të ngrihet kundër një vendimi, si ka të drejtë ai të mos e ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese? Kjo është skandal, ky është shembulli më tipik i kapjes së shtetit nga ana e politikës”, shtoi Topalli.

Ai ka ftuar Ismet Beqirin, Ilmi Reqicën dhe ish-kryeministrin, Hashim Thaçi, që të deklarohen se a qëndrojnë akoma prapa mbështetjes së punëtorëve të Fabrikës së Gypave, që e dhanë në kohën kur këta punëtorë protestuan pikërisht për këtë çështje.