Qeveria Ndryshon Ligjin e Prokurimit Publik

Kabineti qeveritar shqyrtoi dhe miratoi sot plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik të Kosovës.

Ministri i Financave Avdulla Hoti tha se ndryshimet e këtij ligji do të ndikojnë në transparencë.

“Ky projektligj avancon prokurimin publik duke bërë procesin më efikas përmes freskimit të procedurave ekzistuese”  tha ai.

Tani pritet që ndryshimet të shkojnë në Kuvend për shqyrtim përfundimtar.

Në mbledhje u diskutua edhe për shqyrtim propozimin për negocimin e marrëveshjes ndërkombëtare për modernizimin e shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në QKUK.

Ministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës në vitin 2012 ka nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim financiar me Austrinë.

“Marrëveshja përfshin kredi prej 20 milion euro me kushte të kredive të buta. Tani me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë kemi filluar përgatitjet për negocimin e marrëveshjes për modernizimin e shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në QKUK në vlerë prej 2.6 milionë euro.” tha Hoti.

Sipas tij, kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet me ardhjen e Presidentit të Austrisë në Kosovë në fund të muajit.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se me këtë marrëveshje arrihet të finalizohet një projekt që shton cilësinë në këtë fushë.

Në mbledhje u shqyrtua edhe propozim- vendimi përfundimtar për shpronësimet që preken nga ndërtimi i objektit të pikë kalimit kufitar në mes të Kosovës dhe Maqedonisë si dhe ai për negocim të marrëveshjes mes Kosovës dhe Kroacisë për ndihmën reciproke në çështjet doganore.

Qeveria diskutoi edhe propozim- vendimin për themelimin e komisionit ndërministror për çështje të komuniteteve dhe u bë informimi i kabinetit qeveritar për performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore.