Padrejtësia Ndaj Studentes së UP-së Nxit Reagime

Unioni i Studentëve Pro Europianë (USPE) reagoi ndaj eliminimit në momentin e fundit të studentes Ermira Halimi, studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës qendra në Gjilan e cila ka notën mesatare 9.76.

KALLXO.com raportoi dje se Ermira Halimit i është anuluar çmimi sadoqë paraprakisht ajo e kishte të konfirmuar se do ta marrë titullin “Studente e Dalluar” në ceremoninë e 45 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

USPE thotë se rast edhe më flagrant ka ndodhur me studenten tjetër nga qendra e fakultetit ekonomik në Gjilan, Arlinda Abdullahu e cila, sipas kësaj organizate studentore, ka notën mesatare 10.00 dhe as që është ftuar në këtë ceremoni.

Sipas sekretarit të  përgjithshëm i USPE-së, Betim Sherifi, cili është njëkohësisht edhe Senator në UP, “kjo sa është turpëruese është edhe tendencioze”.

Sherifi tha se Arlinda Abdullahut dhe Ermira Halimit iu mohua marrja e çmimit padrejtësisht pasi studentet në fjalë i plotësojnë kriteret për të qenë fituese meritore të këtij çmimi simbolik.