Numërohen 3000 Fletëvotime me Kusht

Gazetarët e KALLXO.com nga QNR raportojnë se numërimi në këtë qendër është mbyllur në mesnatë dhe se nga 24200 fletëvotime me kusht që duhet të numërohen, deri më tani janë numëruar 3006.

Prej tyre, 166 kanë qenë të pavlefshme, ndërsa ndër fletëvotimet e vlefshme janë shënuar këto rezultate: PDK ka pasur 973 vota, AAK 447, Vetëvendosje 392, LDK 364, AKR 210 dhe NISMA 106 vota.

Numërimi do të vazhdojë të mërkurën në mëngjes.

 

Përfundon Numërimi i Fletëvotimeve me Postë, “Lista Serbe” Merr Mbi 8000 Vota

22:05

Para pas çastesh, ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve me postë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) dhe ka filluar numërimi i fletëvotimeve me kusht.

Gazetarët e KALLXO.com nga QNR raportojnë se nga rreth 10.500 fletëvotimet me postë të numëruara gjatë ditës së sotme, mbi 8 mijë i takojnë Listës Serbe.

Por vëzhgues të pranishëm në QNR kanë shprehur shqetësimin se në fletëvotimet për Listën Serbe, më të votuarit janë kandidatët që vijnë nga veriu i Kosovës.

Siç raporton ekipi i KALLXO.com, vëzhguesit dyshojnë se këto fletëvotime mund të jenë plotësuar nga i njëjti person.

Numërimi në QNR përfundon në mesnatë për të vazhduar nesër në mëngjes.

Rifillon Numërimi i Fletëvotimeve me Postë

19:05

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), rreth orës 18, ka rifilluar numërimi i fletëvotimeve të ardhura përmes postës, pas një bollkade disaorëshe që u krijua për shkak të bojkotit të vëzhguesve të partive politike.

Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, tha për KALLXO.com se nuk është evidentuar ndonjë shkelje procedurale dhe se numërimi duhet të vazhdojë.

Ai tha se partitë kanë të drejtë t’i drejtohen PZAP-së, në rast se vërejnë ndonjë parregullsi.

Ndërpritet Procesi i Numërimit të Fletëvotimeve me Postë

14:40

Largimi i një vëzhguesi të PDK-së nga procesi i numërimit të fletëvotimeve me postë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është kritikuar nga kolegët e tij që gjenden në këtë qendër duke vëzhguar procesin e numërimit.

Ramiz Canolli vëzhgues nga PDK tha se ai nuk e ka braktisur dhe nuk e ka ndërmend ta braktis procesin e numërimit në QNR.

“Ne duhet ta dimë rolin e vëzhguesit. Nëse shohim parregullsi, kemi të drejtë të bëjmë ankesë lidhur me problemet që ne i vërejmë”, tha Canolli.

Kurse Shqiprim Begolli, një vëzhgues tjetër nga PDK, tha t’i ketë thënë Florim Javorit që të mos e braktisë procesin e numërimit.

“Por ai krye në vete e braktisi procesin e numërimit”, tha Begolli.

Procesi i numërimit u ndërpre paasi që vëzhguesit kishin pretenduar se një numër fletëvotimesh për Listën Serbe, të formatit A3, ishin plotësuar nga e njëjta dorë.

Për këtë çështje, vëzhguesit e të gjitha partive politike, përfshirë edhe Florim Javorin e PDK-së, i kanë dërguar një letër KQZ’së, me të cilën e njoftojnë për vendimin e marrë për braktisjen e procesit të numërimit.

“Gjatë numërimit të votave nga diaspora janë vërejtur parregullsi te fletëvotimet për subjektin Lista Srpska. Të gjitha fletëvotimet janë të formatit A3, të fotokopjuara nga i njëjti stilolaps. Janë identike dhe vërehet se janë plotësuar nga një person”, thuhet në këtë letër.

Vëzhguesit kërkuan nga PZAP dhe organet e rendit që të fillojnë hetimet ndërsa u shprehën “të vendosur” të mos i rikthehen procesit të vëzhgimit pa u bërë verifikimet e duhura nga organet e drejtësisë.

Vëzhguesit e partive politike PDK, LDK, AAK, AKR, VV, NISMA kanë bojkotuar procesin e numërimit të votave me postë pasi po pretendojnë se i njëjti person ka plotësuar disa fletëvotime për Listën Serbe, me të njëjtit kandidatë për deputetë të rrumbullakësuar.

Ismet Mulaj, vëzhgues nga AKR, tha për KALLXO.com se bëhet fjalë për një fletëvotim i fotokopjuar ku shihet se një person i vetëm ka votuar për shumicën e votuesve dhe për kandidatë të njëjtë. Sipas Mulajt, në shumicën e fletëvotimeve që kanë dalë nga ajo kuti, kanë qenë të rrumbullakësuar kandidatët me numër 5 (Velimir Rakiq), 14 (Bojan Mitiq), 39 (Slavko Simiq), 44 (Milka Vuletiq) dhe 47 (Milena Miliqeviq).

Kurse Marigona Drevinja nga VV tha bojkotimi i procesit të numërimit ka ardhur pas konsultimeve me përfaqësuesit nga të gjitha partitë politike të pranishme në Qendrën e Nuëmrimit dhe Rezultateve “Votimi ka ndodhur nga e njëjta dorë ne vendosëm për ta ndërprerë procesin.

“Ne do të bëjmë ankesë dhe presim interpretim ligjor”, tha Drevinja. “Ato fletëvotime duhet të verifikohen nga prokuroria pastaj të rifillojë numërimi”, u shpreh ajo.

Ndërsa koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, tha për KALLXO.com se fletëvotimet mund të shkarkohen përmes internetit dhe nuk kanë numër rendor. Ai u shpreh kundër bllokimit të procesit të numërimit, përderisa u sugjeroi përfaqësuesve të partive politike që të drejtohen në panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në vend se ta bllokojnë numërimin .

“Vëzhguesit e partive politike mund të bëjnë ankesë në PZAP, e cila më pas fillon procedurën e shqyrtimit të ankesës. Është mirë që ata të ankohen në PZAP dhe të mos e bllokojnë procesin e numërimit”, u shpreh Burim Ahmetaj. Procesi i numërimit, deri në gjetjen e një zgjidhjeje, është ndërprerë. “Neve nuk na mbetet tjetër pos t’i fusim fletëvotimet në kuti në mënyrë që ta dimë se ku kemi mbetur”. Deri në ndërprerjen e procesit të numërimit, janë numëruar 2886 nga 10.698 fletëvotimet e ardhura përmes postës.