Haradinaj: Vonesat në Emërimin e Kryeprokurorit nuk po Bëhen Rastësisht

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha sot gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës se vonesat në emërimin e Kryeprokurorit dikush po i planifikon.

Mbase kjo, sipas tij, po bëhet për rokada në këtë pozita, apo për t’ia ruajtur vendin ndonjë ministri.

“Ajo që sot dua ta veçoj është situata me emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Kjo ka hallkat e veta ku pastaj po lidhet edhe Gjykata Kushtetuese. Ata që janë të përfshirë në këtë proces e dinë mirë se për çka e kam fjalën”, tha Haradinaj.

Ai gjithashtu përmendi edhe shqetësimin e tij për grevën e gjyqtarëve.

“Po ankohemi që po na bëhen padrejtësi nga ndërkombëtarët dhe të tjerët kur vetë gjyqtarëve nuk po ua plotësojmë kushtet”, tha ai.

“Si do ta përmirësojmë sistemin e drejtësisë nëse nuk ndajmë buxhet për gjyqtarët”, pyeti Haradinaj.

Sipas tij, nëse shihet serioze kjo punë, atëherë ai tha se nuk guxohet të lihet kaq gjatë kështu.