Gjimnazi i Vushtrrisë Hapi Panairin e Hulumtuesve të Rinj

Në Gjimnazin “Eqrem Çabej” në Vushtrri të mërkurën u hap panairi “Hulumtuesit e Rinj”, me qëllim të ekspozimit të punës praktike të nxënësve të kësaj shkolle.

Këtë panair e vizitoi kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku i shoqëruar me drejtorin e Arsimit, Musa Tërbunja.

Drejtori i këtij gjimnazi, Xhevat Lahu u shpreh se ky panair është tradicional në institucionin të cilin ai drejton.

“Është organizuar edhe vitin e kaluar në gjimnaz, e kjo është hera e dytë gjatë këtij viti që organizohet e kështu do të jetë edhe tradicional edhe njëkohësisht do e begatojmë me punë të mëtutjeshme”, u shpreh Lahu.

Ndërkaq, organizatorja e këtij panairi profesoresha e lëndës së Astronomisë, Syleme Gogolli tha se ky panair është organizuar me qëllim që të dëshmojnë dijen e nxënësve të kësaj shkolle.

“Qëllimi kryesor i organizimit të këtij panairi është të dëshmojmë punën, vullnetin e të rinjve tanë që të përfitojnë dije dhe të arrijnë në suaza më të larta të shkencës”, tha Gogolli.

E anëtarja e grupit punues “Hulumtuesit e Rinj”, Albina Uka u shpreh se pa marrë parasysh sfidat që i kanë hasur deri te finalizimi i këtij panairi sot ndjehen të kënaqur që kanë arritur qëllimin e tyre.

“Arritja e qëllimit apo arritja e kënaqësisë të bën të harrosh mundin edhe lodhjen gjatë rrugës”, rrëfen Uka.

Që në ditën e parë të hapjes së këtij panairi pati vizitorë të shumtë ndër ta edhe mësimdhënës të Gjimnazit “Frang Bardhi” të komunës së Mitrovicës, të cilët ndoqën me shumë vëmendjen eksperimentet e përgatitura nga nxënësit e grupit “Hulumtuesit e Rinj”.

Panairi “Hulumtuesit e Rinj” mbetet i hapur për të gjithë të interesuarit deri më 27 mars.