Fëmija ‘Ikonë e Sarajevës’ Shënon Përvjetorin e Rrethimit

Njëzet e tre vjet pas fillimit të rrethimit të Sarajevës, Adi Arapoviç, fotografia e të cilit ndihmoi në simbolizmin e ndikimit të luftës te fëmijët e qytetit, thotë se ai nuk mund ta harrojë kurrë si u rrit nën të shtënat.

‘Kam kujtime të këqija për atë fotografi. Nuk dua të ndodhë kurrë më,” tha për BIRN në 23-vjetorin përkujtimor të së hënës, Adi Arapoviç, i cili ishte tetë vjeç kur filloi rrethimi i Sarajevës më 6 prill 1992.

Gjatë dimrit të parë të rrethimit, Arapoviç dhe miku i tij u fotografuan nga fotoreporteri Christian Maréchal teksa qëndronin përpara Teatrit Kombëtar në Sarajevën qendrore, ku ai jeton ende sot e kësaj dite.

“Makina e shkatërruar dhe thasët me rërë përpara bodrumit ku strehoheshim thotë një mijë fjalë. Ne pritëm që të ndalonin bombardimet që të shkonim në park për të luajtur. Ne ishim të etur për lojëra”, tha Arapoviç, që është tani një i diplomuar për drejtësi, i papunë.

*Adi Arapoviç (majtas) në fotografinë e vitit 1992 nga Christian Marechal. Burimi Wikicommons.

Arapoviç kujton mirë lojërat e kohës së luftës që ai luante me miqtë e tij, duke vrapuar pas makinave ushtarake, duke parë zyrën e postës teksa digjej dhe qytetin e tij t’i shkatërrohej përreth.Seria e fotografive të Maréchal të fëmijëve të qytetit nënvijëzoi gjendjen e tyre të vështirë teksa rriteshin mes bombardimeve dhe të shtënave të snajperit.

“Ne luanim për orë me qenin në foto. Fatkeqësisht ajo vdiq prej bombardimit,” tha ai.

Kujtimet e dhimbshme të rrethimit të Sarajevës gjithashtu ndjekin ende Fikret Grabovicën, vajza e të cilit Irma u vra nga një snajper në Kodrën Kosevo.

“Më kujtohet ato ditë të para të prillit 1992. Ne, prindërit, shqetësoheshim vetëm për të shpëtuar fëmijët,” tha Grabovica.

“Nuk më besohej që rrethimi do të zgjaste aq shumë. Tani ne e dimë se rrethimi zgjati aq shumë, se ishte dhunë kundër qytetit, disa njerëz donin të shkatërronin çdo gjë të gjallë në qytet. Fatkeqësisht, shumë prej rinisë tonë u vra,” shtoi ai.

Gjatë rrethimit të Sarajevës rreth 1600 fëmijë vdiqën.

Si president i Lidhjes së Prindërve të Fëmijëve të Vrarë në Sarajevë, Grabovica është cilësuar si fitues i çmimit 6 Prilli, një nderim i përvitshëm i dhënë për njerëzit që kanë bërë një kontribut madhor për qytetin.

Ai tha megjithatë se nderimi i jepte atij ndjesi të përziera.

“Ato emocione variojnë nga dhimbja e pafund deri te krenaria. Jam krenar për suksesin e lidhjes sonë. Ne kemi bërë shumë për të gjetur të vërtetën dhe për të treguar thellësinë e krimit, kundër llojit më të ndjeshëm të njerëzve në qytetin tonë – fëmijëve,” tha ai.

Një tjetër fitues i çmimit 6 Prilli këtë vit është gjenerali i ushtrisë boshnjake Jovan Divjak.

Divjak tha se ishte krenar të kujtonte ‘heroizmin e qytetit që ruajti tolerancën’ gjatë më shumë se 40 muajve të rrethimit.

“Jetova me qytetarët dhe pashë jetë pa jetë, pa ujë, elektricitet apo gjak,” tha Divjak.

“U përpoqa të sigurohem se ato pak armë që kishim t’i ndalonin ata nga kodrat të hynin në qytet, t’i jepja qytetarëve mbështetje, ata në spitale dhe në media, sepse rezistenca, rezistenca shpirtërore, si dhe ushtarake, ishte ajo që shpëtoi Sarajevën,” tha ai.

Përvjetori i fillimit të rrethimit u kujtua të hënën me një ceremoni pranë memorialit të fëmijëve që u vranë nga 1992-95. Disa qindra njerëz morën pjesë dhe lëshuan tullumbace të bardha me emrat e fëmijëve shkruar mbi to.