Kryetarët e Parlamenteve Studentore kërkojnë përgjegjësi nga Ministria pas përjashtimit nga EQAR – Foto: KALLXO.com

Përjashtimi nga EQAR, Parlamentet Studentore Kërkojnë Përgjegjësi nga MAShT

Kryetarët e parlamenteve studentore të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Prizrenit, bashkë me përfaqësuesit e studentëve të kolegjit AAB, kanë dalë sot me një deklaratë të përbashkët përmes të cilës kanë kërkuar përgjegjësi nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit lidhur me përjashtimin e  Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Europian për Sigurim të Cilësisë (EQAR).

Arietë Bajrami, presidente e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, deklaroi se duhet të jepet llogari për përjashtimin e Kosovës nga ky institucion.

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të japin llogari për gjendjen në të cilën është Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe të japin llogari për përjashtimin e saj nga EQAR”, tha ajo.

Gjithashtu, ajo tha se duhet të ketë forma të reja të zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve arsimore, në mënyrë që ato të depolitizohen.

“Të marrin hapa për depolitizimin e arsimit të lartë duke e ndryshuar mënyrën e zgjedhjes dhe shkarkimit të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe anëtarëve të Këshillave Drejtuese të Universiteteve Publike”, u shpreh Bajrami.

“Ne kërkojmë të krijohen mënyra të reja të zgjedhjes së tyre që mundësojnë që në këto pozita të vijnë njerëz të përgatitur dhe me kredibilitet e jo që zgjedhja e tyre të bëhet nga radhët e shoqërisë së ministrit të Arsimit”, shtoi ajo.

Po ashtu, Arietë Bajrami kërkoi që të rritet buxheti për arsim.

“Buxheti për arsimin e lartë në vitin 2019 të jetë për të paktën 50% më i madh sesa në vitin 2018”, tha ajo duke iu referuar investimeve në ndërtimin e  objektit të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, të Fakultetit Ekonomik, bibliotekave të reja dhe ndarjes së bursave për studentët.

Ndërsa, Arianit Berisha, kryetar i Parlamentit Studentor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, tha se mund të ketë protestë të përgjithshme studentore në rast të mosrealizimit të kërkesave.

“I kemi paraparë disa aksione simbolike të cilat do t’i bëjmë në ditët në vazhdim. Gjithashtu e paralajmërojmë një protestë të përgjithshme, të të gjithë studentëve të Kosovës, e cila besoj se do të ndodhë brenda 10 ditëve”, tha ai.

Konferenca për shtyp e drejtuesve të parlamenteve studentore e mbajtur para Fakultetit Filologjik nuk është e vetmja ngjarje sot ku organizatat studentore i kanë paraqitur pakënaqësitë e tyre për përjashtimin e Kosovës nga EQAR.

Organizata studentore Demokracia Studentore sot ka mbajtur protestë.

http://kallxo.com/studentet-protestojne-per-depolitizim-te-arsimit/

Kurse, dje ministri i MAShT, Shyqiri Bytyqi, është takuar me përfaqësuesit e disa organizatave të tjera studentore. Në një komunikatë të MAShT është thënë se Ministria do të bëjë ankesë në vendimin e EQAR.

“Me këtë rast, ministri Bytyqi i informoi studentët për të gjithë hapat që po ndërmerr Ministria që periudhën prej 90 ditësh, si e drejtë për ankimim, ta shfrytëzojë maksimalisht për t’u rikthyer si pjesë e EQAR dhe në vazhdimësi sistemi arsimor në Kosovë të garantojë zhvillim normal dhe cilësor”, thuhet në komunikatën e MAShT.