MAShTI nis procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Ankesave të AKA-s

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është në proces të përgatitjes së konkursit për anëtarë të Komisionit të Ankesave të Agjencisë për Akreditim.

Ky komision mbeti jofunksional për shkak të dorëheqjeve të dy anëtarëve të përhershëm.

Nga MAShTI kanë bërë të ditur se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, me t’u informuar nga drejtori i AKA-së, Naim Gashi, për dorëheqjen e dy anëtarëve të Komisionit të Ankesave në AKA, konform Udhëzimit Administrativ 15/2018, ka iniciuar procedurat për rizgjedhjen e anëtarëve të rinj.

“Aktualisht zyrtarët ligjor në MAShTI ndodhen në proces të përgatitjes së këtij vendim për formimin e Komisionit të përzgjedhjes së Komisionit të Ankesave. Formimi i këtij Komisioni do të bëhet më së largu javën e ardhshme”, është bërë e ditur për KALLXO.com nga MAShTI.

Ministria po ashtu ka bërë të ditur se procedura e emërimit të anëtarëve të AKA-së do të bëhet përmes thirrjes publike.

“Edhe pse nuk është e precizuar me legjislacionin në fuqi, konform praktikave të deritanishme, do të shpallet një thirrje publike për dy anëtarë të Komisionit të Ankesave. Thirrja do të publikohet në ueb faqen e MAShTI dhe në ueb faqen e AKA-së. MAShTI i fton të gjithë kandidatët, të cilët i plotësojnë kriteret e UA që të aplikojnë për këto dy pozita”, thuhet më tej.

KALLXO.com ka raportuar javën e kaluar se Komisioni i Ankesave mbeti jofunksional, pasi kryetari i Komisionit të Ankesave të Agjencisë së Akreditimit, Faton Merovci kishte dhënë dorëheqje. Merovci ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë më 11 nëntor të vitit 2021.

Ky komision për momentin ka mbetur me vetëm një anëtar të përhershëm, Muhamet Qerimi, sepse edhe ish-anëtarja e përhershme, Krenare Sogojeva- Dërmaku kishte dhënë dorëheqje, pasi u zgjodh Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Komisioni i Ankesave është organi i cili trajton dhe shqyrton ankesat e parashtruara ndaj vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, i cili përbëhet nga tre anëtarë të përhershëm dhe dy anëtarë rezervë.

Jep dorëheqje kryetari i Komisionit të Ankesave në Agjencinë e Akreditimit

.