Kërkimet për dy policët e zhdukur - Foto: KALLXO.com

Përfundojnë për sot kërkimet për policët e zhdukur

Kërkimet për dy policët e zhdukur mbrëmë kanë përfunduar edhe për sot.

Kështu ka bërë të ditur Haki Hertica nga Njësia e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kanë përfunduar kërkimet sonte. Nesër vazhdojmë prapë me kërkime diku rreth orës 9:00”, tha Hertica, raporton KALLXO.com.

Kjo ishte dita e dytë e kërkimit të trupave të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët me veturën zyrtare mbrëmë ranë nga rruga magjistrale Kaçanik – Han i Elezit poshtë në rrjedhën e lumit Lepenc.

Aksidenti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:45 dhe ndonëse ishin zhvilluar kërkime gjatë natës së kaluar, ato kanë rezultuar vetëm me gjetjen e automjetit.

Kryeministri Ramush Haradinaj ishte para gjysmë ore në vendin e ngjarjes dhe nga aty tha se nëse do të jetë nevoja do të kërkojë leje nga homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev, që kërkimet të vazhdojnë edhe në pjesën e Maqedonisë të lumit Lepenc.

http://kallxo.com/haradinaj-mund-ti-kerkoj-zaevit-te-na-lejoje-te-kerkojme-policet-edhe-ne-maqedoni/

KALLXO.com ofroi një fotogaleri nga vendi i ngjarjes ku po zhvilloheshin kërkimet.

http://kallxo.com/fotogaleri-kerkimi-i-policeve-te-zhdukur/

Në operacionin e kërkimit po marrin pjesë njësi të Policisë, të FSK-së, Zjarrfikësve, pjesëtarë të KFOR-it dhe qytetarë vullnetarë.