Pejanët protestojnë kundër vendosjes së laurës në Grykë të Rugovës

Ndërtimi i një laure në kilometrin e tretë në Grykë të Rugovës ka shkaktuar revoltë te banorët e 14 fshatrave të asaj zone.

Kjo laurë sipas banorëve është duke u vendosur pa diskutimin publik me ta.

Sot dhjetëra qytetarë kanë protestuar kundër vendosjes së kësaj laure, duke djegur materialet punuese.

Sipas aktivistit nga organizata Syri i Vizionit, Veton Mujaj këta banorë nuk e dinë as arsyen e vendosjes së asaj laure në Grykë të Rugovës.

“Unë isha sot bashkë me banorët që protestuan në vendin ku ka filluar ndërtimi i laurës, ata janë të revoltuar sepse askush nuk i ka informuar për një vendosje të tillë, sipas lajmeve në media pas vendosjes së laurës secili qytetarë do të paguaj për hyrje në park. Një euro do të jetë bileta për të rriturit ndërsa 50 cent për fëmijët. Ne nga dita e djeshme kur kanë filluar punimet jemi vënë në mbështetje të komunitetit”, tha Mujaj.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në lidhje me vendosjen e laurave në zonat turistike.

Fatmir Morina, drejtor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ka thënë se vendosja e laurave është projekt i MMPH-së përkatësisht AMMK-së ku do të ndërtohen 7 objekte , Rugovë, Deçan , Lloqan, Junik dhe tri ne Parkun Kombëtar “ Sharri”.

Sipas Morinës vendosja e laurave ka të bëjë me mbrojtjen e resurseve natyrore si prerja e pyjeve, ndërtimet dhe degradimet tjera.

Sipas tij në të gjitha këto pika kanë qenë edhe më herët prej vitesh të vendosura laurat dhe ndryshim të lokacionit kemi bërë vetëm në Rugovë pasi ka qenë kërkesë e Komunës së Pejës për largimin e laurës ku ndodhet aktualisht.

“Është menduar për një pilot projekt ku do të aplikohet pagesa por që kemi vendosë si institucion që këtë ta shtyjmë për me vonë dhe gjithçka rreth taksës do të vendoset me komunitetin dhe pa marrjen e pëlqimit edhe nga ta nuk do të ketë taksë. Edhe nëse do të aplikojmë një ditë taksë të gjithë pronarët e paluajtshmërisë, banorët e Rugovës me rrethinë në bazë të Rregullores për Rendin e Brendshëm të Parqeve Kombëtare janë të liruar nga pagesa e taksës. Ne tani jemi në fazën finale të hartimit të planit menaxhues të Parkut Kombëtar dhe dy plane rregullative, njëri në Bogë dhe tjetri Gropa e Erenikut në Junik. Tani aktualisht nuk kemi ndonjë projekt investiv ngase projektet infrastrukturore është duke i kryer komuna por normalisht edhe ne si Ministri në linjat tona buxhetore do të kërkojmë mjete për zhvillimin e kësaj zone. Edhe njëherë taksë nuk do të aplikohet por vetëm vendosje të laurave për kontroll”, ka treguar Morina.