Dogana në aksion kundër veshjeve të falsifikuara - Foto: KALLXO.com

Pamje kur Dogana konfiskon bluza e mbathje në qendrën tregtare të Prishtinës

Dogana e Kosovës  ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një aksion në një biznes në Prishtinë.

Sipas disa informatave dyshohej se në një lokal në Prishtinë në lagjen “Arbëria”, shiten mallrat të cilat e shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale (DPI).

Gjate kontrollit të mallrave nga ana e oficerëve doganorë, informata ka rezultuar të jetë e saktë pasi që është hasur në mallra të cilat dyshohet se janë pa mbulesë e që gjithashtu janë të mbrojtura.

Mevlude Dibra, udhëheqëse e Njësitit të Sektorit të Kontrolleve pas importit, tha për KALLXO.com se pas inspektimeve kanë hasur në mallra të cilat dyshohet se janë pa dokumentacion përkatës.

“Informata ka rezultuar e saktë, lokali në të cilin erdhëm posedon mallra pa mbulesë. Po e paketojmë mallin i cili do të ndalohet përkohësisht”, tha ajo.

Sipas saj, mallrat e konfiskuara gjatë aksionit të sotëm janë kryesisht veshmbathje të markave si: Tomy Helfiger, BOSS, LaCosta, Gucci etj.

Dogana e Kosovës ka bërë ndalimin e këtij malli përkohësisht deri në verifikimin e tij.

Dogana e Kosovës ditëve të fundit është duke i zhvilluar disa aksione në mbrojtje të markave të njohura të cilat janë të mbrojtura e që nuk guxojnë të shiten nga dikush tjetër përveç atyre që janë të autorizuar.