Foto: RTV 21

Një Asteroid Ka Emër Shqip

Tashmë një asteroid në gjithësi mban një emër shqip, është emri i stinës së luleve, të ripërtëritjes- Pranverës.

Megjithatë emri i asteroidit nuk u vë me qëllimin për të bartur kuptimin e stinës, por të një vajze të re Pranvera Hysenit, astronautes nga Kosova, shkruan rtv21.tv

Pranvera është themeluese e organizatës “Astronomy Outreach of Kosovo”, e cila me punën e saj arriti të bëjë që Kosova të njihet edhe në fushën e astronomisë.

Asteroidi që tash se fundi u emërtua “Pranvera Hyseni”, është  zbuluar në vitin 2000 nga Catalina Sky Survey.

Austronautja kosovare Pranvera Hyseni për rtv21.tv ka treguar se si është ndjerë kur ka kuptuar se emri i saj tashmë do të figurojë në gjithësi.

“Me të vërtetë mbeta pa fjalë. Asteroidet janë trupa qiellorë që gjithmonë me pëlqen t’i vrojtoj dhe gjithnjë kam pasur dëshirë të zbuloj ndonjë. Mirëpo, asnjëherë nuk kam menduar që një asteroid një ditë do të mbajë emrin tim. Tani, po ndjehem me afër hapësirës së kurrë me parë“, ka thënë Pranvera.

Ajo gjithashtu ka treguar edhe si e ka marrë lajmin së pari, që ishte shumë befasues për të.

“U zgjova në mëngjes dhe sapo hyra ne rrjetin social në Facebook, kisha pranuar shumë urime nga astronomë ndërkombëtarë, mirëpo nuk e dija pse. Ata me kumtuan lajmin, ngase ky lajm ishte befasues për mua”, ka treguar Hyseni.

Se një asteroid tashmë mban një emër shqip edhe atë të një vajze nga Kosova, për shumëkë ishte një surprizë, e po ashtu edhe krenari.

Por, gjithë kjo është arritur falë përkushtimit të Pranverës dhe organizatës së saj.

“Gjatë udhëtimit tim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u takova me shumë astronomë, të cilët panë entuziazmin dhe pasionin tim për astronominë, ata gjithashtu mësuan për kontributin që kemi bërë unë dhe organizata ime Astronomy Outreach of Kosovo për vite me radhë”, ka thënë Pranvera Hyseni.

Pa dyshim se çdokush do të donte që emri i tij apo saj të figuronte diku apo të mbetet në histori për të mirë, e edhe për Pranverën është një ëndërr e bërë realitet.

“Ka qenë e paimagjinueshme. Kam ëndërruar gjithnjë për gjëra të tilla, ndërkaq sot po bëhet realitet. Shpresoj qe kjo të jetë motivim për të gjithë të rinjtë e Kosovës, që të futen në shkencën e astronomisë”, tha Pranvera.

Si një vajzë e re dhe e pasionuar shumë pas Astronomisë, Pranvera ka folur edhe rreth asaj se si do të ndikojë në karrierën e saj një arritje e tillë

“Padyshim që kjo do të ndikojë pozitivisht në karrierën time shkencore. Jam duke punuar çdo ditë e më shumë në astronomi, duke vrojtuar pothuajse çdo natë. Shpresoj që një ditë të zbuloj ndonjë asteroid ose kometë, apo edhe ndonjë trup tjetër qiellor, i cili do te marrë emrin e vendit tonë”, ka përfunduar Pranvera Hyseni./21Media