Ratko Mlladiq në sallën e gjyqit. Foto: BETA.

Mbrojtja Kërkon Lirimin e Mlladiqit nga Akuzat

Në ditën e fundit të argumenteve përmbyllëse në gjyqin e Mlladiqit në Hagë, avokati i tij mbrojtës, Dragan Ivetiq, tha në Gjykatë se “i vetmi vendim i drejtë dhe i saktë është një lirim nga akuzat për shkak të faktit se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë fajësinë e tij”.

Mlladiq akuzohet për gjenocidin ndaj boshnjakëve në Srebrenicë në vitin 1995, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila dyshohet se arriti r shkallën e gjenocidit në disa komuna të tjera në vitin 1992, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë 44 muajve të rrethimit të kryeqyteti boshnjak, dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Ivetiq e përqendroi fjalën e tij përfundimtare te akuza për gjenocid në Srebrenicë, duke këmbëngulur se Mlladiq s’mund të shpallej përgjegjës për ekzekutimin e më shumë se 7,000 boshnjakëve pasi forcat serbe të Bosnjës morën enklavën.

“Mbrojtja nuk e konteston se disa burra dhe djem u vranë tragjikisht në akte hakmarrje personale në Srebrenicë, por këto vrasje nuk kanë asgjë të përbashkët me ndonjë komandant apo me qëllimet e Mlladiqit”, tha ai.

Ai këmbënguli se e vërteta reale për Srebrenicën nuk do të dihet kurrë, por se autorët e krimeve nuk po vepronin nën komandën e Mlladiqit, por se ishin “hakmarrës”.

Prokurorët kanë kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Mlladiqin.

Më herët, të martën, mbrojtja hodhi poshtë akuzën se trupat e Ratko Mlladiq terrorizuan popullsinë e Sarajevës gjatë rrethimit të viteve 1992-1995 të qytetit.

Avokati i Mlladiqit u shpreh se ideja se forcat serbe të Bosnjës shkaktuan një mbretëri terrori u krijua nga autoritetet boshnjake për të fituar keqardhjen e ndërkombëtarëve.

Ai citoi një raport nga forca paqeruajtëse UNPROFOR të OKB-së, i cili tha se “bombardimi është reduktuar në mënyrë të ndjeshme, por autoritetet vazhdojnë të krijojnë një mit që qyteti është bombarduar”.

Ivetiq pohoi se përjetësimi i “mitit” ishte aq i rëndësishëm saqë pala boshnjake “bombardoi dhe sulmoi me snajper popullin e vet”.

Ndryshe nga akuzat, Ushtria Serbe e Bosnjës ishte “e kujdesshme që të mos sulmonte civilë”, këmbënguli ai.

Ai tha se Ushtria Boshnjake kishte detyrimin “të ndante ndërtesat ushtarake nga ato civile”, por nuk e bëri këtë dhe madje nuk i lejoi civilët të largoheshin nga qyteti.

Ivetiq nuk e mohoi se “një numër i madh granatash” ranë mbi Sarajevë, por u shpreh se forcat serbe të Bosnjës iu përgjigjen sulmeve të Ushtrisë Boshnjake nga brenda qytetit.

“Një ndërprerje e plotë e armiqësive në Sarajevë ishte qëllimi kryesor ushtarak”, tha ai.

http://kallxo.com/mbrojtja-mlladiq-kurre-nuk-urdheroi-masakrat-e-srebrenices/

Mlladiq akuzohet për terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë 44 muajve të rrethimit të kryeqytetit boshnjak, gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila thuhet se arriti shkallën e gjenocidit në disa komuna të tjera në vitin 1992 dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Mbrojtja u shpreh gjithashtu se Fadila Tarcin, dëshmitari i vetëm i mbijetuar i paraqitur nga Prokuroria e Gjykatës së Hagës në gjyq, u plagos rëndë nga një granatë e gjuajtur nga forcat e liderit boshnjak Alija Izetbegoviq dhe jo nga ushtria nën komandën e Mlladiqit.

“Duket sikur prokuroria përpiqet të fshehë krimet e kryera nga forcat e Izetbegoviqit”, tha Ivetiq.

Avokati mbrojtës e akuzoi Izetbegoviqin si përgjegjës për shpërthimin e luftës në Sarajevë, duke i kujtuar gjykatës se lideri boshnjak një herë tha se ai ishte “i gatshëm të sakrifikonte paqen për një Bosnjë dhe Hercegovinë sovrane”.

http://kallxo.com/prokuroret-mlladiq-figure-kryesore-ne-mizorite-e-bosnjes/

Sipas Ivetiq, forcat e Izetbegoviqit përdorën praninë e civilëve në kryeqytet për të mbrojtur veten, duke i fshehur objektet në dyqane dhe zyra postare, duke hapur punishte për riparim të armëve në ndërtesat e banimit dhe bodrumet, si edhe duke stërvitur rekrutë në ndërtesat e shkollave fillore.

Ivetiq tha gjithashtu se nuk kishte asnjë sipërmarrje të përbashkët kriminale që synonte terrorizimin e popullsisë së qytetit.

Ai këmbënguli se pretendimi i prokurorisë se Mlladiq i privoi civilët në Sarajevë nga ndihma humanitare, uji, energjia elektrike dhe gazit ishte “një teori konspiracioni”.

http://kallxo.com/prokuroret-kerkojne-burgim-te-perjetshem-per-ratko-mlladiqin/

Të enjten, mbrojtja e Mlladiqit dhe prokurorët e Gjykatës së Hagës do të kenë kohë të komentojnë argumentet përmbyllëse të bëra nga pala tjetër.

Vendimi i shkallës së parë pritet të merret në nëntor 2017.