Kuvendi i Kosovës | Foto: Atdhe Mulla
Kuvendi Zgjodhi Guvernatorin
Fehmi Mehmeti me shumicën e votave të deputetëve është zgjedhur sot guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.
Në një votim të fshehtë Mehmeti mori 60 vota, ndërsa pas tij u rendit Besnik Bislimi, ish-deputet i Vetëvendosjes, që mori 31 vota. Në garën për guvernator ishin pjesëmarrës edhe Safet Merovci, ish-ministër në Qeverinë e Përkohshme dhe ish-këshilltar në qeveri dhe Shkëndije Himaj.
Himaj mori 15 vota, ndërsa Merovci 4.
Fehmi Mehmeti nga data 1 shtator 2013 është emëruar në pozitën e zëvendësguvernatorit për mbikëqyrje financiare në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Mehmeti ka qenë pjesë e menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës pas marrjes me koncesion nga konzorciumi turko-francez, “Limak & Airport de Lyon MAS”, në periudhën 2011-2013.
Në ANP, përveç detyrave tjera menaxhuese, referuar CV-së së tij, thuhet se ai është angazhuar edhe në hartimin e legjislacionit të ANP-së dhe punën në financa. Posti i tij ka qenë shef i Kabinetit të Drejtorit Ekzekutiv.
Gjatë periudhës 2010-2013, ai ka qenë drejtor bordi në Ndërmarrjen Publike “Uniteti” me seli në Mitrovicë.
Nga korriku 1999 deri në mars 2001, kandidati për guvernator ka qenë drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale në Vushtrri. Në këtë qytet ai ka ligjëruar për lëndët ekonomike në shkollën e mesme, në vitet 91-92.
Gazeta Jeta në Kosovë shkroi dje se kandidatët për guvernatorë u përzgjodhën tinëz kompanisë britanike që po përzgjedh zyrtarët në pozita të larta.
Emri i guvernatorit të zgjedhur në Kuvend do t’i shkojë presidentit për dekretim.