Nga një seancë e gjykimit të Kurtit dhe të tjerëve, |Foto: KALLXO.com

Kurti: Kosovën e Ruajtëm nga Dëmet e Mëdha

Albin Kurti tha sot në gjykatë se kundërshtimi i marrëveshjeve për asociacionin dhe demarkacionin nga opozita në Kuvend e ruajti Kosovën nga dëmet e mëdha.

“Ne jemi të bindur se e kemi ruajtur Kosovën nga dëme të mëdha, ndërsa pasojat janë aq të papërfillshme dhe të atypëratyshme sa që janë të paqëndrueshme”, tha Kurti.

Ai konstatoi se rreziqet nga këto marrëveshje nuk janë eliminuar, por janë shumë më të vogla.

“Sot këto rreziqe nuk janë eliminuar por janë jashtëzakonisht më të vogla se që ishin para dy vjetëve dhe unë jam i lumtur për këto”, tha Kurti.

Ai deklaroi se opozita kur hodhi lotsjellës veproi në rrethana urgjente.

“Ne kemi vepruar në një situatë ekstreme ku po cenohej integriteti i Republikës së Kosovës por jo vetëm ekstreme por edhe rrethanë urgjente”, tha Kurti.

Deputeti i Vetëvendosjes tha se nuk mund të lejohej ardhja e marrëveshjeve për asociacionin dhe demarkacionin në Kuvend.

Kurti deklaroi se veprimet e atëhershëm opozitare nuk kanë qenë kundër serbëve.

“Ne s’kemi qenë kundër serbëve asnjëherë por kundër Serbisë sepse ata janë kundër nesh dhe shtetit tonë dhe për këtë arsye kemi qenë kundër marrëveshjes”, tha Kurti.

Ai deklaroi se me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi Kosova humb 8200 hektarë, ndërsa tha se marrëveshja e asociacionit në 23 nene është vlerësuar në kundërshtim me kushtetutën.

Kurti bashkë me Donika Kadaj-Bujupin, Faton Topallin dhe Albulena Haxhiun po akuzohen për për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.