Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Kurti kërkon status të veçantë për familjarët e secilit polic që humb jetën në detyrë

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime familjeve të dy policëve që humbën jetën në lumin Lepenc.

Ai tha se i gjithë populli ndjen dhimbje e pikëllim për këtë fatkeqësi.

“Në solidaritet të plotë me familjet Trena e Dashi, shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për humbjen e dy policëve të Republikës sonë”, shkroi kryetari i VV-së në profilin e tij zyrtar “Facebook”.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të vetëdijesohet nga raste të tilla dhe duhet t’i pajisë policët me sigurim jetësor për shkak të natyrës së profesionit, sepse policët përballen me rrezikshmëri të lartë.

“Po ashtu, familjarët e secilit polic që humb jetën në detyrë, duhet të marrin një status të veçantë, që t’ua sigurojë përkrahjen ekonomike bashkëshortëve, si dhe fëmijëve të tyre deri sa të arrijnë moshën madhore”,  u shpreh Kurti.