Foto arkiv

Kosova e Para në Evropë me Tuberkuloz

Kosova mbetet me numrin më të madh të të sëmurëve me tuberkuloz në regjion e Evropë u tha sot në Ditën Botërore të Tuberkulozit.

Vetëm gjatë vitit 2015 në Kosovë janë regjistruar 770 raste me TBC.

Mirëpo, sipas koordinatores së Programit Kombëtar për Tuberkulozin nga Ministria e Shëndetësisë, Majlinda Gjocaj, në këtë vit është shënuar numri më i vogël i pacientëve të prekur me këtë sëmundje.

“Ndihma nga Ministria e Shëndetësisë nuk ka munguar asnjëherë. Pacientët e prekur nga tuberkulozi mund të quhen me fat, për arsye se nga momenti i identifikimit të tyre me këtë sëmundje dhe deri në shërimin e tyre trajtohen falas, edhe pse medikamentet kushtojnë shumë shtrenjtë”, tha ajo.

Gjocaj shtoi që sipas raporteve që ata kanë nxjerrë, Prishtina mbetet qyteti më i prekur nga kjo sëmundje në Kosovë.

“Meqenëse tuberkulozi është sëmundje ngjitëse, të gjithë ne mund të infektohemi. Prandaj është shumë mirë që kjo sëmundje të parandalohet me kohë, duke u paraqitur tek mjekët përkatës”, shtoi Gjocaj.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se Ministria ka marrë të gjitha masat që ky numër i të prekurve nga tuberkulozi të zvogëlohet edhe më tej.

“Kemi marrë të gjitha masat që kjo sëmundje të luftohet. Nga viti i ardhshëm, Ministria e Shëndetësisë është zotuar që t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e qendrës mjekësore ku trajtohen këta pacientë”, tha Rrahmani.

Tuberkulozi është sëmundje ngjitëse që përhapet përmes ajrit nga i sëmuri te personi i shëndoshë përmes pështymës, teshtitjes dhe kollitjes.

Sipas Fondit Global në botë ka rreth 9 milionë raste të reja të tuberkulozit çdo vit, ose rreth 24.000 raste të reja çdo ditë.

Një e treta e rasteve janë të humbura për arsye se nuk diagnostikohen, nuk trajtohen ose nuk raportohen fare. Sipas Fondit më të rrezikuarit nga kjo sëmundje janë njerëzit e varfër.