Mbledhja e Komisionit për Bujqësi 14.03.2019 Foto: KALLXO.com

Komisioni Parlamentar ‘nervozohet’ me ministren e re të Bujqësisë Dijana Ziviç

Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Ziviç, është vonuar rreth 13 minuta për të raportuar para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, lidhur me grantet e kësaj ministrie, por edhe e ka lëshuar raportimin pa përfunduar mbledhja e komisionit.

Ky ishte raportimi i parë i ministres së re, pas shkarkimit të ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Kryetari i Komisionit Muharrem Nitaj (AAK), tha se ka kohë që përpiqen të kenë në komision zyrtarët e lartë të kësaj ministrie.

Gjatë diskutimit, Nitaj shtoi se ministrja ka kërkuar leje që të lirohet pas 40 minutave.

“Ministrja më ka kërkuar leje që të lirohet nga kjo mbledhje pas 40 minutave, pasi ka agjendë të cilën nuk mund ta shtyjë”, u shpreh ai.

Kjo nxiti reagimin e disa deputetëve që janë pjesë e këtij Komisioni.

Anëtarja e Komisionit Besa Gaxherri (LDK), i tregoi ministres për rolin e Komisionit Parlamenetar.

“Ju thatë që nuk keni kohë sot të qëndroni gjatë në këtë raportim. Por duhet ta dini që ky komision është organi i vetëm për bashkëpunimin dhe raportimin e punës suaj”, shtoi ajo.

E revoltuar me ‘presionin e kohës’ u shfaq edhe anëtarja tjetër, Ganimete Musliu (PDK).

“Nuk është faji jonë por i menaxhimit tuaj të kohë që ne të jemi në këtë gjendje acaruese dhe ish dashur të jetë më miqësore kjo mbledhje. Mos të ndodhë më në këtë komision që të vjen ministrja dhe të na thuhet vetëm ‘kqyrne si syret’. Kemi vuajtur të kemi raportime të mirëfillta në këtë ministri”, tha deputetja.

Kurse, ministrja Dijana Ziviç gjatë kohës sa ishte pjesë e mbledhjes, u shpreh falënderuese për ftesën që i është bërë nga komisioni, si dhe u zotua se do të punojë për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë.

Ajo shtoi se e kupton ‘nervozën’ e deputetëve, por ka edhe angazhime të tjera dhe për këtë arsye duhet ta lëshojë mbledhjen.

“Jam e gatshme të bashkëpunoj dhe të kemi rezultate sa më të mira. Unë nuk mund të jap përgjigje për kohën sa nuk kam qenë ministre. Do ti merrni të gjitha përgjigjet nga njerëzit e mi. Në këtë periudhë do të shqyrtojë të gjitha mundësitë dhe ne po punojmë për zhvillimin rural. Besoj që deri në fund të javës ta përditësojmë programin për zhvillimin rural. Ligji për ushqimin, zhvillimin rural e të tjera do të procedohen shumë shpejtë. Unë ju falënderoj për këtë ftesë sepse unë vetëm qe 15 ditë jam në krye të detyrës”, tha ministrja.

Mbledhja e Komisionit për Bujqësi 14.03.2019 Foto: KALLXO.com

Ndërkaq, Sekretari i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, tha se janë të gatshëm të bisedojmë për të gjitha çështjet e hapura.

“Mbi 70 për qind të familjeve ekonomike nuk i përkrahim, por jemi angazhuar që ti ndihmojmë edhe fermerët e vegjël. Risia tjetër ka qenë në infrastrukturën rurale. Bizneset tona duhet të jenë të përgatitura për të konkurruar me bizneset e mëdha dhe për këtë e kemi bërë një pilot-program, të kemi fuqizim dhe bizneset e vogla të kenë shitje të sigurt të produkteve”, tha ai.

Pa prezencën e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë dhe të mediave, Komisioni e vazhdoi mbledhjen e paraparë për sot.