Ilustrim

Kandidati i VV-së në Mitrovicën Veriore: U bëjë ftesë të gjithë qytetarëve që ta kryejnë obligimin e tyre

Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore nga  Lëvizja Vetëvendosjes, Erden Atiq, pas votimit ka ftuar të gjithë qytetarët e kësaj ane që të dalin të votojnë.

“Unë sapo e kryva obligimin tim si qytetar, ashtu si është zakon dhe i bëjë ftesë të gjithë qytetarëve që ta kryejnë obligimin e tyre poashtu”, tha Atiq.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve, shkaku i taksës prej 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Kandidati për kryetar të Mitrovicës Veriore nga Lista Serbe, Goran Rakiq, ka votuar në Shkollën Teknike të këtij qyteti, ku ka ftuar qytetarët që në mënyrë masovike të dalin në këto zgjedhje.

Para tij kishte votuar, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili tha se është me rëndësi që secili ta kryej punën e vet, që zgjedhjet të kalojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndërsa, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë.

Të drejt vote në këto komuna kanë 57.983 persona apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Për zgjedhjet në veri garojnë kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.