Rakiq kërkon votim masiv të qytetarëve në zgjedhje

Kandidati për kryetar të Mitrovicës Veriore nga Lista Serbe, Goran Rakiq, ka votuar në Shkollën Teknike të këtij qyteti.

Pas votimit ai ka ftuar qytetarët që në mënyrë masovike të dalin në këto zgjedhje.

“Ne e bëmë detyrën tonë qytetare. Qytetarët e Mitrovicës seriozisht e kuptuan rëndësinë jo vetëm të zgjedhjeve lokale, por edhe se ata përfaqësojnë një referendum dhe që për ne që jetojmë këtu do të thotë mbijetesë dhe qëndrim në këtë rajon”, tha ai para mediave.

“Shfrytëzoj rastin të ftoj të gjithë qytetarët që në mënyrë masovike të dalin në këto zgjedhje dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës”, shtoi Rakiq.

Para tij kishte votuar, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili tha se është me rëndësi që secili ta kryej punën e vet, që zgjedhjet të kalojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ndërsa, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Të drejt vote kanë 57.983 persona apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017. Për zgjedhjet në veri garojnë 12 kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Rakiq para dorëheqjes ka qenë kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut.