Jeton Zeqiri, zgjedhet drejtor i spitalit të Ferizajt

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka zgjedhur drejtorin e ri të Spitalit Rajonal të Ferizajit.

Komisioni në përbërje të Fakir Spahiu-Kryesues i Komisionit dhe të doktorëve  Skender Kandiq e Mirdita Hajdari në cilësi të  anëtarëve kanë zgjedhur Jeton Zeqirin si drejtor të këtij spitali.

“Në konkursin për Drejtor të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj kan konkuruar 4 kandidatë. I gjithë procesi ka shkuar shumë mirë dhe nuk kemi pasur ankesa të kandidatëve për gjatë tërë procesit”, thuhet në përgjigjet ShSKUK-së dhënë për KALLXO.com.

Nga ana tjetër pritet që në ditët në vijim të vihet gurrëthemeli i spitalit të Ferizajit. Për ndërtimin e këtij spitali ka pasur ankesa nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj .

“Paralajmërimi i fillimit të ndërtimit të spitalit rajonal në Ferizaj, tek ish-tregu i kafshëve, në kundërshtim me ligjin dhe me interesin qytetar, po tregon jo vetëm prirjen anarkiste të pushtetit ë Agim Aliut, por edhe logjikën e funksionimit të PDK-së dhe PAN-it “ligji është llastik” dhe sa herë që iu duhet, e tërheqin në anën e tyre” thuhet në reagimin e tyre.

Ata po kundërshtojnë ndërimin e lokacionit të spitalit dhe sipas tyre nëse nuk meren masa ata do të shkojnë edhe më tutje.

Më herët është paraparë që spitali të ndërtohet te parku “Liria” ndërsa tash po parashihet ndërtimi te ish tregu i kafshëve.