Foto: Kallxo.com

Ish-sekretarja e MTI-së dënohet me 7 mijë euro për konflikt të interesit

Ish-sekretarja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Eliana Naka e akuzuar për veprën penale, konflikt interesi është shpallur fajtore nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Eliana Naka është dënuar me gjobë në shumë prej 7.000 Euro të cilën duhet të paguajë brenda një viti, me 12 këste.

Gjithashtu është obliguar t`i paguajë edhe shpenzimet gjyqësore, si dhe në emër të paushallit  gjyqësor shumën prej 50 euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit të paguajnë shumën prej 50 euro.

Shpallja e aktgjykimit është bërë nga gjykatësi Hamdi Ibrahimi

https://kallxo.com/ish-sekretarja-e-mti-se-ne-rigjykim-mohon-fajesine-per-konflikt-interesi/

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2018.

Kurse Gjykata e shkallës së parë, në korrik të vitit 2018, të akuzuarën Eliana Naka e kishte shpallur fajtore për konflikt interesi dhe e kishte dënuar me gjobë në shumë prej 7.000 euro.

Në këtë proces gjyqësor akuzohej edhe ministri aktual i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka,  i cili ishte liruar nga akuza, edhe Apeli e kishte vërtetuar pafajësinë e tij.

Sipas Apelit, për të akuzuarën Eliana Naka, gjykata e shkallës së parë nuk kishte dhënë fakte vendimtare me të cilën është shpallur fajtore për veprën penale të konfliktit të interesit.

Gjykata e  Apeli theksonte se Gjykata e shkalla e parë, nuk ka dhënë asnjë fakt vendimtar se e akuzuara Naka ka pasur ndonjë privilegj apo dobi të çfarëdo lloji për vete apo tjetrin dhe se a ka marrë pjesë në vendimmarrjen në fjalë, andaj, sipas Apelit të gjitha këto kanë mbetur të pasqaruara.

Sipas aktakuzës Eliana Naka akuzohej për konflikt të interesit. Naka sipas aktakuzës në cilësinë e sekretares së përgjithshme e MTI-së më 2 qershor 2014 duke vepruar në kundërshtim me ligjin, kishte marrë vendim që mjetet financiare në vlerë të përgjithshme prej 20 mijë eurove të ndahen në mbështetje të OJQ-së në të cilën ka qenë drejtoreshë e Bordit.

Ndërsa Valdrin Lluka në cilësinë e zyrtarit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë më 23 maj 2014, ka vepruar në kundërshtim me ligjin, pasi ka kërkuar që të fillojnë procedurat për zotimin e mjeteve prej 20 mijë eurosh për OJQ-në “Jakova Innovation Center”, në të cilën OJQ, ka qenë themeluesi dhe njëkohësisht ka pasur edhe pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve.