Haradinaj: Besimi në AAK është rritur, e ka kaluar 20%

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia që ai drejton është rritur dhe e ka kaluar 20 përqindëshin.

Kryeministri aktual i Kosovës ka folur edhe për liberalizimin e vizave, integrimin në BE e anëtarësimin në NATO. Ai nuk harroi të flas para pejanëve edhe për kufirin me shtetin fqinj, Malin e Zi.

Haradinaj para përkrahësve të AAK-së në Pejë në 19 vjetorin e themelimit të degës tha se do të ketë kujdes për besimin që po ua japin qytetarët.

“Besimi në Aleancë është rritë, e ka kalu 20 për qindëshin. Janë fjalë që i them para juve, e di që jam borxh kur i them. Duhet me bë kujdes, as mos me rrit mendjen, do të bëj kujdes, kudo që jam që t’i bëj punët e Kosovës”, u shpreh kryeministri në një paraqitje të drejtpërdrejtë në “Facebook” nga qyteti i Pejës.

Ai ka folur para qytetarëve të Pejës edhe për demarkimin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Po du me ju siguru këtu në Pejë, që çështja e kufirit me Malin e Zi është çështje në proces, ne dëshirojmë sa më mirë me u merr vesh me fqinjin tonë, Malin e Zi. Dëshirojmë që kufiri në Çakorr e në Kullë me kanë në respektim të ndërsjellë. Besoj që në mënyrën më të mirë do ta zgjidhim me fqinjin tonë”, deklaroi ai.

Kryeministri i Kosovës foli edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO, integrimin në BE e lëvizjen e lirë.

“Ne e kemi tash në proces anëtarësimin në NATO. NATO na ka ndihmuar në 99-ën tash ne po bëhemi NATO me ushtrinë tonë, ne po dojmë me u bë anëtar të BE-së po edhe të drejtën me lëvizë lirshëm, deri në vjeshtë besoj  liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.