Gruaja që Denoncoi Burrin në Polici Për Shitjen e Shtëpisë

Ziza dhe Isa Mehajt u ka dalë punë me policinë dhe drejtësinë tek pas 45 viteve të martesës.

Shtëpia e tyre në Pejë u bë mollë sherri mes çiftit që tani jeton në Gjermani pasi që Ziza pretendon se burri i saj nuk e pyeti fare kur vendosi ta shesë shtëpinë verën e kaluar.

Raste si ky i Zizës ka mjaft në Kosovë meqë e drejta e gruas në pronë mohohet në masë të madhe në kohën e ndarjes së trashëgimisë familjare.

Ziza thotë se pazari për shtëpinë familjare në Pejë është bërë krejt në fshehtësi nga burri i saj dhe nuk kishte ditur asgjë derisa kishte rënë rastësisht në letrat e shitblerjes.

“Burri im Isa Mehaj ka ardhë në verë në pushim dhe e paska shitur shtëpinë qe e kemi pasë në Pejë. Unë nuk kam qenë në dijeni fare, ndërkohë duke pastruar banesën këtu në Gjermani i kam pa letrat që e paska shitë shtëpinë”, tha Ziza Mehaj për emisionin “Drejtësia në Kosovë” duke folur nga Gjermania.

Ajo të cilën e ka gjetur Ziza në dokumentet e burrit është një kontratë nga noteri.

“Kam ardhë në Kosovë dhe kam shkuar të noterja Feraseta Alija-Pejqinoviq dhe i kam thënë së unë nuk kam nënshkruar për t’u shitur shtëpia dhe kush ka nënshkru ne emrin tim unë nuk e di”, tha Mehaj.

Zonja Mehaj nuk u ndal me kaq dhe menjëherë kishte shkuar për të hapur rast në polici ku e denoncoi noteren dhe burrin e saj.

“Kam shkuar edhe në policinë e Pejës dhe e kam paraqitur rastin, por nuk e di çka ka ndodh më tej sepse po u dashka me ardhë burri atje që policia me e marrë në pyetje”, theksoi Mehaj.

“Drejtësia në Kosovë” kishte kontaktuar edhe me bashkshortin e saj, Isa Mehaj, i cili dha një përgjigje të shkurtër përmes telefonit.

Ai pretendon se ka qenë vetë gruaja e tij që ka qenë te noterja.

“Ka qenë edhe ajo te noterja por jemi grindur e ajo i ka renë pishman. Nuk e di pse por kur të vijë në Kosovë do ta sqaroj. Unë nuk jam kontaktuar nga policia për këtë punë, ndërsa nuk e di saktë as çfarë ka bërë noterja me pronën time”, tha Isa Mehaj.

“Drejtësia në Kosovë” ka kontaktuar me noteren Feraseta Alija-Pejqinoviq, por ajo vendosi që të përgjigjet vetëm përmes postës elektronike.

“Në zyrën time të noterisë është paraqitur një grua e cila ka deklaruar së burri i saj Isa Mehaj pa dijeninë e saj e ka shitur patundshmerinë dhe une ia kam treguar kontratën, por ajo ka deklaruar se nuk ka qenë ajo kur e ka nënshkruar atë”, tha noterja.

Por operacioni i shitjes së shtëpisë i kishte dështuar Isa Mehajt.

Noterja konfirmon se pasi Ziza Mehaj është ankuar, ajo e ka bllokuar procesin e shitjes.

“Nga dita kur është paraqitur ankuesja Mehaj në zyrën time, unë e kam ndalur shitjen e shtëpisë për një kohë dhe i kam njoftuar të gjitha palët që ndërpritet shitja deri sa të sqarohet ky rast”, tha Pejqinoviq.

Ndërsa policia e Kosovës e pranon se ka rast të hapur në lidhje më shtëpinë e çiftit Mehaj.

“Me datën 03.11.2015 në policinë e Pejës ka ardhur ankuesja Z.M. e cila njofton së burri i saj pa pëlqimin e saj ka përpiluar kontratë të shitjes së shtëpisë së tyre. Nga ana e Policisë në Pejë në konsultim me prokurorin janë zhvilluar hetimet paraprake ku janë verifikuar të gjitha shkresat e lëndës perkatëse dhe pritet të intervistohet burri i zonjës në cilësinë e të dyshuarit”, tha policia.

Përderisa Ziza rrëfen për vështirësitë që po i kalon me burrin e saj në Gjermani, organizatat që merren më të drejtat e grave në Kosovë tregojnë se gjendja nuk është e mirë sa i përket të drejtës së gruas në trashëgimi familjare.

Luljeta Demolli nga Qendra për Studime Gjinore tregon për numrin e vogël të femrave që janë pronare të pronave.

“Sipas hulumtimeve të fundit, vetëm 16 perqind e femrave në Kosovë kanë prona në emër të tyre dhe nga viti 2004 ka shumë levizje të vogla sa i përket trashëgimisë”, tha Demolli.

Kushtrim Kaloshi nga organiza ATRC, tregon se numri i femrave që padisin burrat në gjykata në çështje të trashëgimisë është në rritje.

“Kemi rritje të numrit të rasteve ku gratë padisin burrat për të drejtën e tyre në pronë mirëpo kemi pak zgjedhje të këtyre rasteve në gjykata tona. Ende po mungon një gatishmëri për t’i zgjedhur këto raste”, theksoi Kaloshi.