Gjykata dënon Sadik Bajramin për vrasjen e Ermal Kamberajt

Gjykata në Mitrovicë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar të akuzuarin Sadik Bajrami për vrasjen e Ermal Kamberajt.

Pak orë pasi e pranoi fajësinë, Bajrami ka dalë para gjykatës për ta mësuar masën e dënimit për vrasjen e majit të vitit 2017.

Ai është dënuar me 12 vjet burg ndërsa në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Gjykatësi i rastit Sinisha Mandushiq tha se atij paraburgimi do t’i vazhdohet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit të sotëm, por jo më shumë se 12 vjet.

Ndërsa për veprën penale të armëbajtjes pa leje, i akuzuari Bajrami është dënuar me gjobë në shumë prej 500 euro ndërsa ai obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës  penale në shumë prej 150 euro, paushall në vlerë 20 euro, dhe 50 euro për fondin e viktimave të krimit.

Paradite, që në seancën e parë të procesit gjyqësor, Sadik Bajrami e kishte pranuar fajësinë për veprën për të cilën akuzohet.

Foto: Kallxo.com

Vrasja me armë zjarri kishte ndodhur në maj të vitit 2017 në lokalin “Check In” të Mitrovicës, vendi ku viktima ishte duke punuar.

Pas leximit të akuzës nga ana e prokurorit të rastit, Bajrami u deklarua se e pranon fajësinë lidhur me veprën për të cilën akuzohet, ndërsa shprehu keqardhje dhe pendim për atë se çfarë kishte ndodhur, raporton Kallxo.com.

https://kallxo.com/mitrovice-i-akuzuari-pranon-fajesine-per-vrasjen-e-ermal-kamberajt/

“Po unë e ndjej veten fajtor, kërkoj falje dhe me vjen keq prej familjes”, ishin fjalët e të pandehurit në gjykatë.

Pranimi i fajësisë u mbështet edhe nga ana e prokurorit Njazi Rexha si dhe nga mbrojtësit i të pandehurit avokati Avdi Dinaj.

Pas kësaj gjykatësi Sinisha Mandushiq me aktvendim ka aprovuar pranimin e fajësisë për këtë vepër penale nga i pandehuri.

Sadik Bajrami akuzohet nga prokuroria se me 5 maj të vitit 2017 në lokalin “Check In“ që gjendet afër urës kryesore në Mitrovicë, në objektin e Qendres së Kulturës, kishte privuar nga jeta Ermal Kamberajn.

https://kallxo.com/varroset-ermal-kamberaj/

Sipas akuzës viktima kishte qenë në vendin e punës në cilësinë e menaxherit, ndërsa i akuzuari kishte shtënë në të me pistoletë “Crvena Zastava”.

Kurse tashmë i ndjeri Ermal Kamberi kishte vdekur si pasojë e shokut hemorragjik të shkaktuar nga gjakderdhja e jashtme dhe gjakderdhja e brendshme, si dhe dëmtimeve të shumta të organeve të barkut nga veprimi dinamik i predhave të hedhura nga arma e zjarrit.

I akuzuari Bajrami akuzohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontoll ose posedim i paautorizuar i armëve.