Efraim Zuroff

‘Gjuetari i Nazistëve’ Dënon ‘Nostalgjinë Fashiste’ në Kroaci

Efraim Zuroff, drejtori i zyrës së Qendrës Simon Wiesenthal për Izraelin dhe Europën Lindore dhe krye gjuetari i nazistëve i organizatës, ka paralajmëruar se “revizionistët neo-fashist kroat” po përpiqen të ndryshojnë imazhin e Shtetit të Pavarur Kroat pro-nazist të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe njësive të saj ushtarake ustashe.

Në një artikull për Jerusalem Post të mërkurën, Zuroff paralajmëroi se “historia e trazuar e Kroacisë vazhdon të dëmtojë të tashmen e saj dhe të kërcënojë të ardhmen e saj demokratike”.

Ai kritikoi përkujtimoren e fundjavës së kaluar me rastin e 25-vjetorit të njësisë së Forcave Kroate të Mbrojtjes të kohës së luftës, e cila mori emrin e një komandanti pro-nazist të Luftës së Dytë Botërore.

Në përkujtimoren e organizuar në Split, anëtarë të njësisë “Kalorësi Rafael Boban” brohorisnin sloganin fashist të kohës së luftës “Za dom spremni” ( “Gati për Atdhe!”) dhe bëri thirrje që ai të legalizohej.

Zuroff tha se kjo ishte “një përpjekje për të legjitimuar politikat vrasëse të NDH-së dhe për të shfajësuar krimet e atij regjimi”.

Ai kritikoi gjithashtu filmin e ri dokumentar kroat mbi kampin e përqendrimit në Jasenovac, i cili drejtohej nga regjimi i NDH-së.

Më shumë se 83,000 serbë, romë, hebrenj dhe armiq të Shtetit të Pavarur Kroat, një shtet pro-nazist i kohës së luftës së Dytë Botërore, u ekzekutuan ose vdiqën për shkak të kushteve të këqija në kampin në Kroacinë qendrore midis vitit 1941 dhe 1945. Kampi drejtohej nga njësitë ustashe, të cilat ishin të ndërtuara kryesisht bazuar te SS naziste.

Zuroff tha se filmi, Jasenovac – E Vërteta, po përpiqej të zvogëlonte krimet e kryera në kamp.

Në premierën e filmit më herët këtë muaj mori pjesë ministri kroat i kulturës, Zlatko Hasanbegoviç, i cili e lavdëroi dokumentarin.

“I vetmi lajm i mirë në këtë drejtim këto ditë ishte një deklaratë nga presidentja kroate dhe kryeministri (veçmas) se qeveria ustashe ishte një “regjim kriminal”,” shkroi Zuroff, edhe pse ai u shpreh se kjo u bë vetëm për shkak të presionit nga ana e Shteteve të Bashkuara.

“Nëse qeveria nuk fillon të luftojë në mënyre efikase dhe të pagabueshme ndaj nostaligjisë ustashe dhe rritjes së neo-fashizmit dhe anti-semitizmit, situata në Kroaci duket vetëm se do të përkeqësohet,” tha ai.

Ai e mirëpriti faktin se përkujtimorja e këtij viti në Jasenovac, e financuar nga shteti, po bojkotohej nga komuniteti hebre kroat, shoqatat antifashiste dhe Këshilli Kombëtar Serb, përfaqësuesi kryesor i komunitetit të serbëve të Kroacisë.

Bojkoti është një protestë kundër ekspozitës së përhershme në memorialin e Jasenovacit, e cila ata mendojnë se nuk tregon si duhet tmerret e kaluara në kamp dhe kundër asaj që ata e shohin si një ringjallje të vlerave ustashe në arenën politike.

Lidhja Antifashiste e Kroacisë po organizon gjithashtu një përkujtimore alternative të Jasenovacit në Zagreb të njëjtën datë me atë zyrtare.

Javën e kaluar, Zuroff shkroi gjithashtu një artikull për Jerusalem Post duke kritikuar brohoritjet nacionaliste në ndeshjet e ekipit kombëtar kroat të futbollit.