FOTO ILUSTRIM: zenasamja

Gjenden insekte në ushqimin e çerdheve nën menaxhimin e komunës së Shpend Ahmetit

Në çerdhen “Fatosat” në Prishtinë janë gjetur insekte në njërin nga kazanët që furnizojnë çerdhet me ushqim.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëdhënësi i Komunës së Prishtinës Adonis Tahiri.

“Nuk është e vërtetë që është gjetur një mi. Në njërin nga kazanët që furnizojnë çerdhet me ushqim, janë gjetur insekte”, thotë Tahiri.

E njëjta gjë ka ndodhur në katër çerdhe të cilat janë furnizuar me ushqim nga e njëjta linjë.

“Në secilën çerdhe, është personi përgjegjës që e verifikon ushqimin para se të shërbehet. Me t’i parë insektet në atë kazan, personi përgjegjës ka kthyer mbrapshtë ushqimin dhe nuk e ka shpërndarë tek fëmijët. Si rrjedhojë, tek të katër çerdhet që janë furnizuar nga e njëjta linjë, nuk është lejuar që të shpërndahet ushqimi i kohës së drekës”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Faji për këtë problem sipas Tahirit nuk qëndron tek kuzhina qendrore e cila e përgatitë ushqimin për fëmijët.

“Kuzhina Qendrore është shumë cilësore, dhe insektet nuk janë nga aty. Po të ishte ndryshe, nuk do të kishim problem në vetëm një kazan, por në të gjithë ushqimin dhe në të gjitha çerdhet”, thotë Tahiri.

Ai shtoi se drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës , Jonuz Salihaj, është duke i vizituar sot të gjitha çerdhet, si dhe kuzhinën qendrore, për të marr më shumë informata për këtë rast.