Foto: Kallxo.com

FSK merr pëlqimin edhe të Komisionit për Siguri

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës i ka miratuar me vota unanime tri projektligjet për FSK-në.

Në këtë mbledhje u miratua Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Shërbim në FSK.

Komisioni për Punë të Brendshme e miratoi edhe shqyrtimin e raportit me propozim-amendamente për Projektligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Anëtari i Komisionit Fatmir Xhelili (PDK) tha se kanë kërkesë që neni 59 të jetë siç ka qenë.

“Kandidati për drejtor të Agjencisë për të dhëna personale të mos ketë pasur aktakuzë gjatë pesë viteve të fundit. Ju lutem ta përkrahni këtë ndryshim”, tha ai.

Anëtarët e Komisionit kërkuan që në mbledhjen e ardhshme të ftohen për raportim Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.

Anëtari i Komisionit, Daut Haradinaj (AAK) tha se shqetësues është përdorimi i drogave nëpër shkolla të Kosovës.

“Duhet të thirret në raportim drejtorit i Policisë për shkak të përdorimit të hashashit në shkolla. Droga po shitet edhe nëpër furra të bukës”, tha ai.

Ndërkaq, Fatmir Xhelili (PDK), tha se shqetësues është edhe fakti i numrit të lartë të grabitjeve, për të cilën dukuri, sipas tij duhet të raportojë MPB-ja.

Kryetari i Komisionit, Haxhi Shala tha se të dy krerët e institucioneve do të thirren në raportim në fund të javës ose në fillim të javës së ardhshme.