Flet avokati i policit Haris Kelmendit: Policia e largoi për disa shkelje jashtë punës

Ish-pjesëtarit të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, Haris Kelmendit i është shqiptuar masa e largimit nga puna për shkak të disa shkeljeve.

KALLXO.com mëson se vendimi për largimin nga puna të Kelmendit është marrë më 11 qershor 2021, tri ditë më parë.

Në lidhje me largimin nga puna, KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin e Kelmendit, Naim Rudari.

Rudari ka thënë se klienti i tij është larguar nga puna për një procedurë të brendshme e cila ishte duke u trajtuar nga Komisioni Disiplinor.

“Çështja është lidhur me një procedurë tjetër të brendshme, është mbajtur seanca në komision dhe për momentin iu ka shqiptu masa e ndërprerjes së marrëdhënies së punës por nuk është vendim i formës së prerë ky vendim”, tha Rudari.

Avokati Rudari tha se çështja për të cilën ka pasur procedurë disiplinore Kelmendi, ka qenë jashtë punës në Policinë e Kosovës, por që këta të fundit i kanë ngarkuar një mori shkeljesh.

“Ka autorizime policore edhe jashtë detyrës zyrtare, i kanë ngarkuar disa shkelje jashtë detyrës zyrtare, pra kur ka qenë ai jashtë detyrës zyrtare ia kanë ngarkuar shkeljet”, tha në fund Rudari.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme raportoi për vendimin që ka marrë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti në lidhje me largimin nga puna të ish-pjesëtarit të NjRSh-së, Haris Kelmendit.

Përjashtohet nga puna polici që rrahu të riun brenda stacionit të Policisë

Kujtojmë se Kelmendi është akuzuar edhe për një rast tjetër atë të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare si dhe për veprën tjetër pengim i të provuarit.

Përveç aktakuzës ndaj Haris Kelmendit, prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe për kolegun e tij, Agon Hyseni. Edhe ky i fundit po ngarkohet me veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e datës 2 prill të këtij viti në të cilën shpjegohet në tërësi vepra e cila u ngarkohet Kelmendit e Hysenit.

Haris Kelmendi dyshohet se më datë 16 qershor të vitit 2018 rreth orës 2 të mëngjesit në cilësinë e zyrtarit policor brenda stacionit policor “Qendra” në Prishtinë deri sa po trajtonte një rast të viktimës L. R., e kishte keqtrajtuar duke i shkaktuar lëndime trupore.

Gjithashtu në aktakuzë përmendet edhe goditja me shuplakë e Haris Kelmendit ndaj viktimës L. R., pamje të cilat u transmetuan edhe gjatë një emisioni të KALLXO.com.

Nga goditja me shuplakë viktima rrëzohet ndërsa e gjithë kjo situatë ishte inçizuar me telefon e më pas ishte shpërndarë në disa grupe të rrjeteve sociale.

Polici Haris Kelmendi më 28 janar të këtij viti ishte arrestuar nën dyshimin për keqtrajtim të një të riu i cili konsiderohej i mitur në kohën kur kishte ndodhur goditja me shuplakë.

Gjithmonë sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar KALLXO.com, një ditë pasi polici Kelmendi ishte arrestuar, më saktësisht me datë 29 janar, i njëjti ishte liruar ndërsa e kishte telefonuar përmes telefonit viktimën L. R., dhe kishte kërkuar nga i njëjti ta tërheq deklaratën e dhënë në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Pasi kishte mbaruar telefonatën, viktima në këtë rast L. R., kishte telefonuar hetuesit e IPK-së dhe u kishte treguar se kishte pranuar telefonata për tërheqjen e deklaratës ndaj Haris Kelmendit.

Me këto veprime, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka konstatuar se polici Haris Kelmendi ka kryer veprën penale të pengimit të të provuarit.

Ndërsa aktakuza për policin tjetër, Agon Hysenin thotë se i njëjti ngarkohet me veprën penale të keqtrajtimit gjatë detyrës zyrtare pasi që i njëjti ka marrë pjesë në keqtrajtimin e të njëjtit person apo viktimë L. R.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me arrestimin dhe hetimin e zyrtarëve policor Haris Kelmendi dhe Agon Hyseni për keqtrajtimin e të riut L. R.

Në lidhje me lirimin që ishte bërë Haris Kelmendit 24 orë pas arrestimit, ishte pezulluar nga puna prokurori i rastit.

Prokurori Eset Rama ishte pezulluar nga detyra me vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

KALLXO.com gjithashtu në një emision të transmetuar muaj më parë kishte treguar në mënyrë të detajuar të gjithë procesin e ngjarjes që kishte ndodhur dhe sigurimin e video- incizimit ku u pa Kelmendi deri sa godet me shuplakë një të ri brenda stacionit policor “Qendra” në Prishtinë.