ERA: Institucionet e Kosovës ngecje në reformën evropiane  

 

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) së bashku me Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) dhe Institutin GAP ka publikuar Raportin e Monitorimit të Agjendës për Reforma Evropiane për periudhën Janar-Shtator 2018, i cili fokusohet në vlerësimin e institucioneve të Kosovës në realizimin dhe zbatimin e masave dhe veprimeve të ARE.

Institutet gjatë një konference për media kanë dalë me raport të monitorimit për periudhën janar-shtator, ku vlerësojnë se nevojitet seriozitet më i madh nga organet kompetente në përmbushjen e kritereve, pasi sipas tyre, kjo e ngadalëson procesin e Kosovës drejt integrimit evropian.

Njomza Mjeku nga GLPS, ka thënë se sa i përket shtyllës ‘Qeverisja e Mirë dhe Sundimi i Ligjit’ janë përmbushur 43% e veprimeve, ndërkaq, sipas saj Kodi Penal ka ngecje në kuvend.

“Në shtyllën e parë janë paraparë të realizohen 11 masa, me gjithsej 36 veprime nga të cilat gjatë periudhës Janar – Shtator janë plotësuar gjithsej 62% e veprimeve, 24% janë plotësuar pjesërisht dhe kanë mbetur të paplotësuara rreth 14% të tyre. Ngecjet vazhdojnë të shihen në pikat e njëjta , konkretisht në miratimin e legjislacionit që bën të detyrueshëm pezullimin apo largimin e zyrtarëve publik; miratimi i Ligjit për Gjyqtarë dhe Prokurorë; Auditimi dhe publikimi i raporteve financiare për vitin 2017; miratimi i pakos ligjore për reformën e administratës publike, si dhe pakoja ligjore për reformën zgjedhore. Po ashtu kemi rastin e Kodit Penal që është ne lexim të parë në kuvend”, ka thënë ajo.

Nora Jusufi nga Instituti GAP, sa i përket sektorit ‘Konkurrueshmëria dhe Klima e Investimeve’ tha se ka pasur mos miratim të disa ligjeve që shënojnë ngecje në fushën e zhvillimit ekonomik.

“Duke marr parasysh që Kosovë është një ekonomi e vogël, në periudhën janar shtator 2018 kemi monitoruar 12 masa. Prej 44 veprimeve të identifikuara janë 26 të plotësuara. Kemi mos miratimin e ligjit për inspektime, si dhe në fushën e energjisë ka moszbatime të marrëveshjeve. Disa prej arritjeve, janë arritje në luftimin e ekonomisë informate, krijimi i legjislacionit dytësorë Edhe pse nuk kemi marrë përgjigje nga MTI sipas afatit të paraparë me Ligjin për Qasje në Dokumente, sipas burimeve të tjera të informimit, kjo masë po ashtu ngec ani pse është dashur që të përfundojë deri në fund të shtatorit të këtij viti. Por meqë ka ngecur ristrukturimi, kjo si masë pasuese, ka ngecur gjithashtu në realizim”, tha ajo.

Visar Xhambazi, hulumtuesi në PIPS,  në sektorin ‘Punësimi e Arsimi’, sipas tij, ka ngecje serioze në raport me zbatimin e reformave në kuadër të Agjendës për Reforma Evropiane.

“Nga 29 prioritete kyqe, vetëm 5 prej tyre janë plotësuar në tërësi dhe kjo përbën një ngecje serioze. Institucionet e Kosovës janë tashmë një vit me vonesë dhe ka ende shumë punë për të bërë. Nevojitet seriozitet më i madh nga organet kompetente në përmbushjen e kritereve sepse kjo e ngadalëson procesin e Kosovës drejt integrimit Evropian. Ngecja me evidente theksohet në sektorin e arsimit. Në të gjitha ministrit e monitoruara ministria e arsimit është ajo që ngecë më se shumti”, tha Xhambazi.