Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, (djathtas) dhe Zëvendës Ministri Izet Sadiku. Foto: Facebook

Dy Piktura, Ministrisë së Shëndetësisë i Kushtojnë 760 Euro

Spitalet në Kosovë mund të marrin donacion qoftë edhe çarçafë e shtretër dhe pacientët mund të vazhdojnë të përballen me mungesë barnash nga lista esenciale, por kjo nuk e pengon kreun e Ministrisë së Shëndetësisë që në zyre të kenë ambient relaksues.

Në një të fundit të realizuar në tetor të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë ka blerë dy piktura për zyrën e Zëvendës Ministrit Izet Sadiku për të cilat, MSh ka konfirmuar se janë shpenzuar 760 euro nga buxheti i ministrisë.

Zyrtarët e kësaj ministrie thonë se pikturat janë blerë nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve dhe se për këtë janë respektuar procedurat e prokurimit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, në përgjigjet elektronike ka deklaruar se pikturat janë blerë pasiqë muret e zyrës së Zëvendës Ministrit kanë qenë të zbrazta.

“Ju informojmë se në kuadër të renovimit të zyrave, është rinovuar edhe zyra e Zëvendësministrit, e cila ka qenë e zbrazët dhe janë blerë edhe dy piktura në vlerë prej 760 euro nga kategoria e mallrave dhe shpenzimeve, me procedura të prokurimit ku ka pasur tre ofertues: DPZ “GALERIA FIGURE”, NSH. “DESIGN HOUSE” me 1.150 euro dhe DPZ  “ART” me 980 euro”.

KALLXO.com ka siguruar një faturë në të cilën shihet se 1000 euro ishin zotuar për blerjen e këtyre pikturave.

Nga to, Ministria ka shpenzuar 240 më pak.

Fatura e parave të zotuara për piktura nga Ministria e Shëndetësisë
Fatura e parave të zotuara për piktura nga Ministria e Shëndetësisë

Në përgjigjet e tij, zëdhënësi Hoti ka shtuar se nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve në buxhet janë paraparë mjete për pajisje të nevojshme dhe inventar për zyrat e zyrtarëve të kabinetit qeveritar-ministror.

Në garën për ta furnizuar këtë Ministri me piktura, fituese ishte shpallur oferta e kompanisë DPZ “Galeria Figure”, e cila kishte ofruar dy piktura për zyrën e zëvendësministrit Sadiku në vlerë prej 760 euro, derisa kompania tjetër NSH. “DESIGN HOUSE” kishte ofertuar me 1.150 euro dhe DPZ  “ART” me 980 euro.

Nga kategoria e mallrave dhe shpenzimeve, Ministria e Shëndetësisë ka blerë edhe një lopt-top për zëvendësministrin Izet Sadiku në vlerë prej 795 euro.

“Sa i përket lap-topit, ato janë pajisje të blera sikur për anëtarët e tjerë të Kabinetit qeveritar”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit Hotit.

Sipas tij, në vitin 2015-të përgjegjësinë për sigurimin e barnave e ka patur Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

“Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës në raportin preliminar vjetor, meqë sigurimi i barnave për këtë shërbim, gjatë 2015 ka qenë në përgjegjësi të tyre ka raportuar si vijon: Barnat 74.6, Citostatikët 85%, Shëndeti mendor 89%, Spitalet e përgjithshme 82.3%”, thuhet në përgjigjet me shkrim të kësaj Ministrie.

http://kallxo.com/drejtoret-nuk-e-ndalin-luksin-qkuk-merr-carcafe-si-donacion/