Dogana e Kosovës mobilizohet për pritjen e bashkatdhetarëve

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka marrë masa për lehtësimin e qarkullimit të bashkatdhetarëve në pikat e kalimeve kufitare.

“Në zbatim të pikave të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës NR. 06-R-12 datë 06.07.2018 e aplikueshme për periudhën 15 korrik 2018 deri me 15 shtator 2018, Udhëzohet i gjithë stafi operativ i Doganës së Kosovës që operon në kuadër të pike kalimeve që me rastin kryerjes se detyrave te punës, ushtrimin e mandatit tyre te përcaktuar me ligj ta bëjnë në frymën e Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 06-R-12 dt 06.07.2018”, thuhet në komunikatën e dërguar nga ky institucion.

Dogana ka njoftuar se në lidhje me këtë secili zyrtarë doganor duhet të përkujdeset që: “I gjithë procesi i punës të zhvillohet shpejt duke treguar azhuritet në kryerjen e procedurave të rregullta kufitare, të gjithë personat që qarkullojnë përmes PKK, në veçanti bashkatdhetarët tanë të trajtohen në mënyrë profesionale, udhëheqësit e PKK duhet të përkujdesen që përmes menaxhimit me efiçiencë të rrezikut të reduktojnë në maksimum procedurat e përditshme të kontrollit, rastet kur bashkatdhetarët bartin me vete mallra, të vlerësohen shpejt dhe në mënyrë të drejtë. Në rastet e veçanta dhe sipas diskrecionit ligjor të merret vendim lidhur me trajtimin e tyre pa shkaktuar situata të cilat pengojnë qarkullimin dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.