Dhuna në Shkolla po Ndodh Edhe Për Shkak të Rrjeteve Sociale

Ata kanë kërkuar që fëmijët të mos kontaktojnë në internet me persona të cilët nuk i njohin, të mos u tregojnë fjalëkalimet e llogarive askujt përveç prindërve, të mos kalojnë shumë kohë në internet dhe të kenë kujdes që të mos bëhen viktima të dhunës në internet (Sajberdhunës).

Kjo është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i Përdorimit të Internetit në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme nga ana e fëmijëve II”, të implementuar nga qendra për studime të avancuara FIT në bashkëpunim me Save the Children.

Mentor Cakulli, përfaqësues i Policisë së Kosovës, tha se shumica e incidenteve që ndodhin në shkolla është për shkak të keqpërdorimit të teknologjisë informative dhe rrjeteve sociale.

“Ne kemi shumë raste kur për shkak të një statusi të vendosur atje, një grup i nxënësve nga një shkollë e caktuar i ka etiketuar një grup të nxënësve nga një shkollë tjetër dhe si pasojë e këtij statusi në Facebook është realizuar një përleshje e tmerrshme fizike qoftë brenda shkolle apo edhe jashtë saj”, tha Cakulli.

Merita Jonuzi, koordinatore e të drejtave të njeriut në ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha situatat e tilla ndikojnë në cilësinë e mësimit.

“Kemi protokollin për parandalim të dhunës ku një prej formave të dhunës është edhe dhuna digjitale”, tha Jonuzi.

Teuta Zymeri, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës FIT tha se gjatë këtij projekti kanë biseduar me fëmijët dhe i kanë mësuar ata sesi të përdorin internetin në mënyrë të sigurt, mirëpo sipas saj kjo nuk është përgjegjësi vetëm e tyre.

“Kjo është përgjegjësi e përbashkët e edukatorëve, prindërve, mediave, qeverisë, industrisë dhe telekomunikacionit dhe të gjithë akterëve në vend që të mbrojnë fëmijët dhe rininë”, tha Zymberi.

Melihate Meha, drejtoreshë në shkollën “Andon Zako Cajupi” në Mitrovicë tha se interneti u ndihmon nxënësve në hulumtimet dhe detyrat e tyre, mirëpo ai ka edhe anët negative.

“Përdorimi i pakontrolluar i internetit dhe i këtyre mjeteve lë pasoja të mëdha në rritjen dhe shëndetin e fëmijëve”, tha Meha.

Nxënësit apo “ambasadorët” e këtyre shkollave përgjegjësia e të cilëve është të mbikëqyrin sesi përdoret interneti në shkollat e tyre kanë paraqitur sot punimet e tyre si dhe “Kodin e mirësjelljes gjatë përdorimit të internetit”.

Në kuadër të këtij programi shkollave pjesëmarrëse u janë shpërndarë edhe nga një printer i cili do të përdoret për nevojat e nxënësve.